Robert Montgomery (sociolog) / Citizen Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Nëse kthehemi prapa në kohë, bujqësia ua dha njerëzve mundësinë e parë për të ndërtuar perandori, sepse bujqësia mund të mbështesë popullsi gjithnjë e më të mëdha. Perandoritë sollën nënshtrimin e miliona njerëzve, përmes sundimit autokratik, diçka kundër të cilës ne vazhdojmë edhe sot të luftojmë.
Bota ngadalë po kalon përtej epokës së perandorive, përmes epokës së kombeve, në një epokë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për fat të keq, Presidenti Putin i Rusisë paraqet një “kthim prapa” në të kaluarën, sepse dëshiron ta rindërtojë perandorinë e carëve që më vonë u bë territori i Bashkimit Sovjetik. Qëllimi i tij është të dominojë sa më shumë njerëz dhe toka dhe të fitojë sa më shumë pasuri dhe fuqi personale. Ukraina, me mbështetjen e Amerikës, po tregon nëse demokracia dhe bashkëpunimi janë rruga e së ardhmes për botën apo mënyra e Putinit për ndërtimin e perandorisë.
Rusët (paraardhësit e rusëve) ishin fillimisht popull norvegjez që u përhapën në jug në lumenjtë e Evropës Lindore, deri në Perandorinë Bizantine. Sllavët ishin gjithashtu në Evropën Lindore dhe të përzier me rusët. Krishterimi u përhap në zonë dhe më 988, Vladimiri, sundimtari në Kiev, u pagëzua shkaku i martesës së tij me një princeshë bizantine. Krishterimi vazhdoi të përhapet në zonë. Pastaj, Kievi dhe Ukraina u pushtuan nga Perandoria Mongole më 1240 dhe qendra qeverisëse u zhvendos në veri, në Novgorod, dhe më pas në Moskë. Ivani IV, ose Ivan i Tmerrshëm, e merr pushtetin më 1547 dhe e vendos shembullin e sundimit nga terrori.
Më në fund, dinastia Romanov erdhi në pushtet më 1613 dhe nisi ta shpërndante perandorinë në gjithë Azinë Qendrore, deri në Oqeanin Paqësor. Ëndrra e Presidentit Putin është ta rivendosë këtë perandori që u bë territori i BRSS-së. Dëshira e Putinit për të dominuar dhe për ta kontrolluar një zonë të madhe nuk është ndryshe nga sundimtarët e perandorive të kaluara. Qëllimi i tij është ta përjetësojë fuqinë e tij personale dhe ta akumulojë pasurinë e tij personale, që është qëllim i korruptuar dhe i papranueshëm për botën që tani di për demokracinë dhe për shtetin e së drejtës.
Shtetet kombe moderne u zhvilluan ngadalë në botë dhe gradualisht zëvendësuan sistemin e vjetër të perandorisë. Shtetet kombëtare u formuan rreth identiteteve etnike dhe nacionaliste. Shumë kombe u krijuan pasi pushteti kolonial u tërhoq dhe popullsitë ishin në gjendje ta shpallnin veten komb të ri. Nacionalizmi i fuqizoi njerëzit, por gjithashtu solli shumë vuajtje dhe ngriti disa autokratë.
Tani po kalojmë në një botë me më shumë bashkëpunim ndërkombëtar. Pas një historie të gjatë të kombeve, konflikteve të tyre të ndryshme dhe sistemeve koloniale të dominimit të kombeve tjera dhe të kombeve të mundshme, bota më në fund e krijoi – në vitin 1948, pas dy Luftërave Botërore – një organizatë që bashkoi me sukses shumë kombe në një trup bashkëpunues: Kombet e Bashkuara. Përpjekja e mëparshme – pas Luftës së Parë Botërore, për të organizuar kombet – ishte e dështuar (Liga e Kombeve). Kombet e Bashkuara nuk janë organ i fortë, por ka një sërë agjencish dhe programesh nga të cilat përfitojnë shumë njerëz. Organizma të shumtë bashkëpunues ekzistojnë sot në botë, si Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, madje edhe një Gjykatë Botërore. Të gjitha këto tregojnë rritjen e bashkëpunimit global, në vend të perandorive. Me rëndësi të madhe përballë pushtimit të paprovokuar të Putinit dhe për ta kundërshtuar atë është forcimi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Në përgjithësi, ka rëndësi të shihet pushtimi i tanishëm i Ukrainës në dritën e dëshirës së Putinit për ta ndërtuar perandorinë siç ka ekzistuar në të kaluarën, por edhe të zhvillimit në botën e shteteve kombëtare, të ndjekur përfundimisht nga organet bashkëpunuese ndërkombëtare dhe nga ngritja e demokracive. Pushtimi i Putinit është hap prapa në histori.
Autokracia është ende e pranishme, në gjithë botën, e bazuar në frikën e nxitur nga njerëzit e uritur për pushtet. Po shohim se është kërcënim edhe për vendin tonë. Lufta midis Ukrainës dhe forcës pushtuese të Rusisë papritur ndihmoi për ta sqaruar kontrastin e vlerave mes autokracive dhe demokracive. Duke e ndërlikuar kontrastin, nacionalizmi mund të jetë aleat si me autokracinë ashtu edhe me demokracinë.
Nacionalizmi është aleat me demokracinë në Ukrainë, si më parë në luftën tonë amerikane për liri. Megjithatë, nacionalizmi gjithashtu mund të lidhet me autokracinë, si më parë në Gjermani, më pas me Kinën dhe me Korenë e Veriut. Nacionalizmi mund të shprehë respekt për veten dhe për lirinë por, pa demokraci, kombet do të bien nën dominimin e njerëzve të etur për pushtet dhe të sistemeve autokratike. Duhet të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën në luftën e saj të guximshme për ta ruajtur lirinë dhe identitetin kombëtar dhe ta zmbrapsim ëndrrën e Presidentit Putin për ndërtimin e perandorisë. /Telegrafi/