Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është përplasur ashpër me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë debatit në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Daçiq deklaroi se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se nuk do ta konsiderojë shtet.
Madje, ai tha se “Kosova është Serbi”.
“Nuk e konsiderojmë shtet Kosovën. Secili shtet e ka “Kosovën e vet”, për këtë arsye secili shtet po çuditet se si duhet t’i qasemi këtij problemi. Ne mendojmë se Kosova është Serbi. Ju nuk pajtoheni. A duhet të fillojmë luftën? Duhet t’u rikujtojmë të gjithëve se Vuçiq nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje”.
“Ne verbalisht jemi pajtuar për diçka. Escobar thotë se Asociacioni duhet të bëhet me ose pa Kurtin. Ne nuk dëshirojmë që dikush të mos i përmbush obligimet e veta e të shpërblehet për mospërmbushje të tyre”, tha ai.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Gërvalla, duke thënë se Serbia nuk po mund të pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur.
Ajo e quajti Daçiqin “Sllobodan i vogël”.
“Ju me deklarimet tuaja vetëm sa e treguat që pse njërëzit në Serbi ju kanë quajtur ‘Slloba i vogël’, ‘Sllobodani i vogël’. E kuptoj që jeni i zemëruar dhe këtë gjuhë të juajen e njoh që moti. Ju duhet t’u tregoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999…”, u shpreh Gërvalla.
Gjatë diskutimeve për raportin e ri gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë e akuzuan njëri-tjetrin se po e bllokojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në seancën që u mbajt në Nju Jork të SHBA-së dhe u kryesua nga Rusia, anëtarët e Këshillit të Sigurimit bënë thirrje që të arrihet marrëveshje në Bruksel dhe që të dyja palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe ta bllokojë progresin në dialog.
“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në dialog. Në të kundërtën, do ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e 2023-tës nuk do më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në fjalimin e Gërvallës u vërejt se Kosova “nuk do në fakt një dialog. Ata duan vazhdimësinë e luftës, të konflikteve”.
Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi krimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë, teksa tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”. /Telegrafi/