Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, u takua me përfaqësues të Komisionit për zgjedhje, imunitet dhe rregullore procedurale pranë Bundestagut, të cilët ishin të shoqëruar nga ambasadorja gjermane në Shkup, Christine Althauser.
Gjatë takimit, të dyja palët e theksuan bashkëpunimin në mes dy vendeve. Sipas Ministrit Nuhiu, bashkëpunimi shumëvjeçar është i bazuar në një besim të ndërsjellë dhe shtrihet në shumë fusha.
Njëherit, ai shprehu falemnderim për përkrahjen të cilën e jep RF e Gjermanisë, si në aspekt të pajisjeve materialo-teknike ashtu edhe në aspekt të organizimit të trajnimeve në fusha të ndryshme të punës policore.
Përfaqësuesit e Bundestagut u shprehën se bashkëpunimi dhe partneriteti me Republikën e Maqedonisë do të thellohet dhe intensifikohet edhe në të ardhmen me qëllim të integrimit euroatlantik të vendit. Në aspekt të situatës aktuale në vend, Nuhiu theksoi se MPB-ja ka kapacitete dhe është maksimalisht e përkushtuar në mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe sigurinë nëë vend si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve./Telegrafi/