Telegrafi

Të sundosh përmes opozitës

22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

A është e mundur të sundosh përmes opozitës, duke e përdorur atë si instrument për krijimin e krizave sa herë që i duhen oligarkisë? Vendet e vogla të Ballkanit janë bërë laborator social dhe politik, ku prodhohet gjithçka, gati të gjitha llojet e opozitës, përveç atyre që paraqesin alternativë reale evropiane. Qeveritë nuk merren me garë se kush do të marrë më shumë vota, por merren me gjenerim social, ata e modelojnë shoqërinë sipas nevojave të veta. Nuk prodhohet vetëm opozita, por edhe shoqëria civile. Me një fjalë, modelin e demokracisë evropiane të marrë nga librat shkollorë, e printojnë në 3D me material lokal dhe për nevoja klanesh.

Gjuhën e Evropës, atë që do ta dëgjojë më shumë Evropa, e kanë kuptuar, e kanë kapur më lehtë klanet e vogla familjare, të veshur me fuqi ekonomike dhe me këshilltarë të paguar shumë mirë, të organizuara mirë dhe të gatshme për gjithçka, madje edhe për metamorfoza dhe për konvertime politike dhe identitare po të jetë nevoja. Ndërkaq, opozita, pa qasje te fondet, vegjeton.

Duket paradoksale, por paradoksi është ideologjia aktuale qeverisëse në rajon. Popujt e çliruar janë bërë spektatorë para syve të të cilëve po zhvillohet loja më e re ballkanike, ku interesat dhe parimet konfrontohen nëpër ekrane, rrjete sociale, apo në sheshe, me karakteristikën themelore që klanet e përfituesve të luftës dhe pasluftës janë kapur për logjikën e interesave materiale, ndërkohë që opozita po merret me parimet. Sapo një klan kalon në opozitë, fillon e merret me parimet. Lufta më e ashpër zhvillohet me statuset në “Facebook” apo në “Twitter”. Kur pushteti do, ndizen edhe zjarret. Mjafton të provokohet opozita!

Modeli ballkanik i qeverisjes është formuar sipas logjikës së trekëndëshit ku hipotenuza është Qeveria, ndërkohë që shoqëria civile dhe opozita janë katetet. Krejt funksionojnë bashkë, marrin kuptim bashkë. Por, nuk rrotullohet. Qeveria e mban shoqërinë civile me fonde, financon projekte; Qeveria u jep tenderë biznesmenëve të opozitës, të cilët financojnë aktivitetet e saj. Mediat, edhe ato të opozitës, jetojnë nga fondet e Qeverisë. Edhe fondet nga jashtë shpërndahen sipas preferencave që mbështeten në interesa të ruajtjes së rendit. Pra, kur do shteti të pasuron, e kur nuk do të fik.

Trekëndëshi nuk ngjan me rrotë, apo jo? Loja quhet: krijimi dhe menaxhimi i krizave dhe qeverisja përmes opozitës! Idealistët kanë ikur nga politika. Ata shërbejnë veç kur kriza e arrin kulmin…! Atëherë kur dikush duhet të flijohet, që loja të duket sa më reale.

Të nisim me Kosovën. Kërkesat e opozitës nuk hasën në mirëkuptim të koalicionit qeveritar, kështu rezistenca opozitare kaloi në agresion opozitar. Prej mbrojtjes së pasuksesshme të demokracisë dhe qytetarisë, opozita kur e kuptoi se e ka humbur luftën, kaloi në sulm frontal mbi pushtetin, i cili, nga ana e vet, e përdori me vendosmëri shtetin për të mbetur në shalë. Në lojën e mëtejme opozita përçahet dhe kështu komprometohet procesi i ndryshimeve. Qytetarët si statistë në lojë, dalëngadalë dalin nga politika ku mbeten veç militantët që djegin dhe duke krijuar kaos dhe kështu e arsyetojnë, e madje edhe e zbukurojnë qeverisjen autoritare, duke i dhënë asaj kuptimin e rregullit. Këtu është momenti kur idealistët zhvishen lakuriq.

Edhe në Maqedoni, metodat kanë filluar të bëhen të njëjta: publikim i aferave, zjarre nëpër zyrat kryesore të shtetit, vezë etj. Në emër të stabilitetit, presidenti i vendit amniston kokën e krimit, ndërsa opozita thërret në dekriminalizim, demokratizim dhe e sulmon shtetin, ndërkaq Evropa e përkrah… pozitën. Edhe atje opozita e përçarë, konfuze, e pafuqishme – rrezikon me kaos.

Ngjashëm ndodh edhe në Shqipëri! Edhe në Mal të Zi! Modeli është i thjeshtë: pozita nxit opozitën të sulmojë në mënyrë të papranueshme -ekstreme. Pozita korrupton idetë e opozitës me virus fundamentalist apo ekstrem – radikal! Ose faktorizohen në opozitë, ish-qeveritarë, po aq të korruptuar dhe të përfshirë në krime derisa ishin në pushtet. Nga pafuqia, nga mospërkrahja, opozita bëhet destruktive. Kështu, qeveritarët mbesin të mirët në tregimin ballkanik, i cili synon të bëhet Evropë, pa ndryshuar.

Duke pasur parasysh sjelljet e opozitës, kokëfortësinë sipas së cilës luftohet për parime jo për interesa të qytetarëve, nuk duket e vështirë që t’i prezantohet botës, se alternativa opozitare është alternativë më e keqe se ajo në Qeveri. Kështu, përse të shpenzohet kohë për të krijuar diçka të njëjtë, rezonon në mënyrë pragmatike Evropa. Të punojmë me këta, që kanë çmim, më mirë se me idealistët të cilët nuk dihet ku e kanë kokën!

Çka po ndodh në Ballkan? Si është e mundur që Evropa nuk e përkrah opozitën, e cila kërkon ndryshime demokratike, të luftojë krimin dhe korrupsionin e qeveritarëve të rinj, oligarkëve të rinj ballkanikë, të cilët në emër të kombit dhe duke u fshehur pas simboleve të tij, u pasuruan skajshëm dhe tash e kanë të vështirë të fshehin atë. Tash po provojnë ta arsyetojnë atë duke u bërë fuqia e cila garanton procesin, ose e krijon krizën. Këtë fuqi e ka fituar përmes internacionalizimit të krimit dhe korrupsionit nëpërmes një rrjeti rajonal informal? Pse i përkrah Evropa? A nuk e kritikon Evropa, qeverisjen ballkanike, pikërisht për korrupsion, krim, autoritarizëm?

Autokratët e Ballkanit janë të lidhur në rrjet dhe vështirë që Perëndimi mund të gjejë një alternativë rajonale për ta ndryshuar gjendjen, prandaj ka bërë kompromis për arsye gjeopolitike: për të mbajtur larg Rusinë nga rajoni, si dhe islamin politik i cili ka lëshuar rrënjë edhe këndej. Kriza e refugjatëve e tregoi se sa e brishtë është Evropa nëse nuk e krijon një tampon zonë në Ballkan. Një Ballkan i pastrukturuar dhe jashtë kontrollit, rrezikon të përmbys edhe anijen evropiane, prandaj, lufta për parime e udhëhequr nga ideologjitë ekstreme e tremb burokracinë e kontinentit më të pasur në glob. Oligarkët kanë korruptuar krejt sistemin, krejt shoqërinë dhe nuk lejojnë të ngjizet alternativë burimore, demokratike.

Në rrethana të tilla, opozita mbetet pa vizion. Në parim mund të ketë të drejtë në debatet me qeveritë e korruptuara, por oferta e saj nuk pranohet nga Perëndimi për shumë arsye, e sidomos për shkak të turbulencave që rrezikojnë përmbytje.

Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor krahasohen me barka të vogla të nisura drejt porteve euroatlantike, debatet dhe konfliktet e brendshme mund të tolerohen deri në shkallën kur rrezikohet që barkat të përmbyten. Pra, në momentin kur barka rrezikon seriozisht të përmbytet, pavarësisht argumenteve që sjell, ai që e luhat barkën më tepër, ai është i keqi. Kështu, sa herë duan të dëshmojnë se janë të pazëvendësueshëm, klanet, e nxisin opozitën të luhatë barkën.

Kur ndizet alarmi, suspendohet demokracia. Siguria në kontinent, bashkë me interesat e mëdha, janë përmbi parimet. Parimet janë për kohë më të qeta, apo jo?

Pra, mesazhi për opozitën është: mos e luhat barkën, tepër, sepse nga paniku që prodhon agresiviteti i juaj në kontinentin e vjetër, më askush nuk ka vesh as për argumentet tuaja!