Telegrafi

Do të shtyhet seanca e radhës për ”Grupin e Kumanovës”

Shtyhet edhe seanca e nesërme për rastin e Kumanovës. Arsyet e shtyrjes nuk janë bërë publike nga Gjykata Themelore Shkupi 1, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Pavarësisht se nga kjo gjykatë ditë më parë konfirmuan se janë siguruar kushtet dhe salla për mbajtjen e seancës publike, rreth anulimit të seancës së caktuar për 27 maj, nuk ka një shpjegim. Nga burime ekskluzive, TV Shenja mëson se arsyet e anulimit burojnë nga trupi gjykues.

Vendimi për mbajtjen e seancave në hapësirat e Gjykatës Supreme erdhi pas 13 seancave të mbajtura në Gjykatën Themelore Shkupi 1. Ky vendim pasoi pas konstatimit se 29 të akuzuarit për vepër terroriste dhe 8 të tjerë për logjistikë do të futen nën një aktakuzë, pasi që bëhet fjalë për “ngjarje të njëjtë penalo-juridike”.

Tani më nga 29 të akuzuar, numri i tyre është rritur në 37, prej tyre 18 shtetas të Maqedonisë, 18 shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas i Gjermanisë. Gjykata Themelore ka vendosur që lëndët ta rifillojë dhe seanca të jetë e hapur, derisa nga ky institucion nuk vendoset për mbylljen e saj në momentin kur do të vijë radha për marrjen e dëshmive nga dëshmitarët e mbrojtur.

Tani më 37 të akuzuarit po vuajnë masën e paraburgimit në burgun e Shutkës dhe atë të Manastirit. Avokatët deklarojnë se klientët e tyre po vuajnë paraburgimin në kushte të mjerueshme, madje një pjesë e tyre në qeli, respektivisht të burgosurit në burgun e Manastirit.

Kjo për palën mbrojtëse është joligjore dhe në kundërshtim me ligjin, pasi që vuajtja e paraburgimit në qeli kategorizohet si “masë plotësuese-ndëshkuese”. Kjo në njëfarë forme nga pala mbrojtëse po vlerësohet edhe si mllef i pushtetit dhe hakmarrje ndaj të akuzuarve./Telegrafi/