Aktiviteti simbolik për ditën e flamurit, që bashkon në një turne të vetëm skuadra nga të gjitha trojet shqiptare. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi organizimin e këtij eventi, që tashmë hyn në edicionin e 7-të.
Si zakonisht, turneu do të zhvillohet me katër skuadra, ku Flamurtari i Vlorës mbetet ekipi pritës.
Pjesëmarrës të tjerë në organizimin festiv janë Shkëndija e Tetovës që militon në ligën maqedonase, Feronikeli kampionia në fuqi e Kosovës, si edhe ekipi Otrant nga Ulqini.
Turneu do të startojë prej orës 12:00 në stadiumin e qytetit të Vlorës. Fituesi i kupës “Pavarësia” do të vendoset pas skuadrat pjesëmarrëse do të luajnë tre ndeshje me kohëzgjatje nga 45 minuta secila. Ekipet do të njohin rivalët në shortin që do të hidhet në darkën zyrtare të aktivitetit.
Prej impenjimit në Kategorinë Superiore, pikërisht të shtunën në fushën e Vllaznisë, Flamurtari pritet të paraqitet me ekipin e Akademisë.
Enigma mbeten rreth përfaqësimit të Shkëndijës që pret sfidën mjaft të rëndësishme me Rabotniçkin, ndërsa Ferronikeli do të shfrytëzojë javën pushim në Superligën e Kosovës dhe pritet të jetë me kontingjent të plotë.
Ky fakt e bën skuadrën nga Drenasi që të jetë favorite për ta fituar kupën Pavarësia, pas suksesit të edicionit të kaluar.