Telegrafi

Të shtëna armësh në Kanada, tre të vrarë dhe dy tjerë në gjendje kritike

Gjatë të shtënave në Winnipeg të Kanadasë janë vrarë tre persona, kurse dy tjerë janë plagosur rëndë, ka njoftuar policia kanadeze.

Të shtënat ndodhën mbrëmë pas orës katër në perëndim të qendrës së qytetit, transmeton Telegrafi.

Policë të shumtë që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë gjetur pesë viktima me plagë të armëve të zjarrit.

“Incidenti ka ndodhur në rezidencën me shumë apartamente luksoze; informacione tjera për motivin e mundshëm të sulmit nuk janë të njohura”, tha zëdhënësi i policisë në Winnipeg, Jason Michalyshen, raporton CNN.

Një burrë dhe një grua janë shpallur të vdekur në vendin e ngjarjes, kurse tre persona tjerë janë dërguar në spital, ku njëri prej tyre nuk i mbijetoi plagëve të marra.

“Dy viktima, burrë dhe grua janë në spital në gjendje kritike. Hetimet janë duke vazhduar”, shtoi Michalyshen. /Telegrafi/