Autoritetet e sigurisë në SHBA kanë njoftuar se të paktën 10 persona janë vrarë, kur një person i armatosur filloi të shtie në drejtim të tyre në orët e para të mëngjesit në Santa Fe të Teksasit.
Një person i dyshuar është arrestuar nga policia si dhe një person tjetër “është duke u marrë në pyetje”. Sherifi Ed Gongalez tha se që të dy të dyshuarit janë studentë të kësaj shkolle, transmeton Telegrafi.
Një dëshmitare e këtij rasti të tmerrshëm ka deklaruar se personi i armatosur ishte futur brenda një klase, dhe kishte filluar të gjuaj me armë në drejtim të nxënësve.
Ajo ka pranuar se kishte parë një vajzë të mbuluar në gjak duke u larguar nga klasa, ndërsa sulmuesi besohet të jetë gjithashtu nxënës i kësaj shkolle që në ato momente ka pasur revole dhe një pushkë automatike.
Një nxënës tjetër ka deklaruar për mediat amerikane se një mësues kishte aktivizuar alarmin e zjarrit, duke shpresuar se me të do t’ua bënte me dije nxënësve që të largohen për t’i shpëtuar më të keqes.
Ai pretendon se ka dëgjuar të paktën 16 apo 17 të shtëna armësh brenda shkollës. /Telegrafi/