Një ngjarje e rëndë është raportuar në mesditën e sotme në fshatin Baltëz të Fierit ku një punonjës i policisë, pjesë e forcave speciale “Shqiponjat”, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka humbur jetën.
Sipas policisë dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit që polici pati me shtetasin me inicialet A.M., në fshatin Baltëz.
Në momentin e ngjarjes polici ishte jashtë shërbimit, por i veshur me uniformë policie, duke shkuar për të marrë turnin.
Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes.
Nga informacionet e deritanishme dyshohet se autori është larguar me një automjet ngjyrë blu.
Policia dhe grupi hetimor kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Njoftimi paraprakë i Policisë:
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponjat” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. /Telegrafi/