Meqenëse coronavirusi ka nisur të përhapet në masë të madhe, autoritetet në Wuhan kanë kërkuar që të sëmurët që nuk pranojnë të shkojnë në kampe, të arrestohen me forcë dhe nëse kundërshtojnë, dhunshëm të dërgohen nëpër qendrat e caktuara.
Njësitet me veshje speciale, janë parë duke i arrestuar disa të sëmurë, të cilët kundërshtonin të shkonin në izolim, që të trajtojnë sëmundjen, por donin të qëndronin jashtë duke rrezikuar të infektonin edhe të tjerë, transmeton Telegrafi.
Pamjet e filmuara në Wuhan, vijnë pasi zëvendës kryeministri i Kinës, Sun Chunlan bëri thirrje për një “luftë popullore”, kundër kësaj sëmundje që po përhapet shumë shpejt.
Javën e kaluar, qeveria qendrore e urdhëroi qytetin – i cili është epiqendra e virusit – të grumbullojë të gjithë pacientët, si dhe të afërmit e tyre të ngushtë, në kampe masive në karantinë.
Deri në ditën e sotme, 724 njerëz kanë vdekur nga coronavirus, derisa ky numër është rritur vetëm gjatë ditës së djeshme me 86.
Worldometers raporton se 34,958 persona janë të sëmurë me coronavirus, prej të cilëve 6,106 me gjendje të rëndë, derisa 2,397 janë shëruar. /Telegrafi/