Telegrafi

Do të rriten çmimet e shërbimeve hotelierike në objektet e Qeverisë

Drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), Ivica Tomovski, ka paralajmëruar rritje të çmimeve të shërbimeve katering në objektet qeveritare.

Tomovski thotë se nuk ka më të hahet “pa kontroll” në kurriz të shtetit dhe se në periudhën e kaluar publiku shpesh me të drejtë i kushtonte vëmendje çmimeve të ulëta dhe jo të tregut me të cilat përdoreshin shërbimet e kateringut të Qeverisë (SOZR).

“Në debate të tilla u apostrofuan veçanërisht restorantet parlamentare dhe ato qeveritare, ku çmimet e shërbimeve dhe produkteve ishin dukshëm më të ulëta se ato në tregun e lirë në dispozicion të qytetarëve. Duke dalë në pritje të këtyre vërejtjeve të justifikuara shumëvjeçare, si dhe në funksion të racionalizimit të mëtejshëm, me propozimin tim si drejtor i SHPPP-së, Qeveria dje njëzëri miratoi vendim fillestar për rritjen e çmimeve të shërbimeve të hotelierisë me 50%”, shkruan Tomovski në rrjetet sociale.

Ai thotë se një rritje e tillë e çmimeve nuk është e tepruar duke pasur parasysh se më parë çmimet ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me tregun privat.

Tomovski paralajmëron se në periudhën në vijim do të bëhen analiza shtesë dhe sa herë që do të jetë nevoja për shkak të devijimeve nga çmimet e tregut do të ketë korrigjime të tyre.

“Është e rëndësishme të sigurohet qasje e barabartë në të gjitha shërbimet, por pa privilegje për të zgjedhurit dhe stafin drejtues”, thotë drejtori i SHPPP.