Telegrafi

Te Roma të mahnitur me debutimin e Abrahamit ndaj Fiorentinës – anglezi dhuroi dy asistime dhe ishte lojtari i ndeshjes

Tammy Abraham mori duartrokitje të mëdha pasi dhuroi dy asistime të shkëlqyera në debutimin e tij mahnitës te Roma.

Sulmuesi anglez debutoi në fitoren 3-1 të Giallorossëve ndaj Fiorentinës të dielën mbrëma në stadiumin “Stadio Olimpico”.

Ish-lojtari i Chelseat ishte njeriu kyç për golin e parë, pasi asistoi te Henrikh Mkhitaryan në minutën e 26-të.

Ai tregoi lëvizje të bukura deri në momentin e asistimit te ish-anësori i Manchester United, i cili mposhti portierin kundërshtar brenda zonës.

Fiorentina reagoi me Nikola Milenkoviç, por Roma nuk humbi kohë për të rifituar epërsinë – dhe përsëri, Abraham ishte në rolin e asistuesit.

Ai mori topin dhe sërish duke bërë disa lëvizje të bukurar, ndërsa kësaj radhe asistoi Jordan Veretout që shënoi pa problem.

Abrahami u zëvendësua në fund të pjesës së dytë dhe paraqitja e tij u vlerësua shumë lartë nga stafi dhe tifozët e Romës.

Lojtari 23-vjeçar mori çmimin ‘Njeriu i Ndeshjes’ dhe po shfaq shenja të hershme se 40 milionët e paguar për të janë investuar si duhet. /Telegrafi/