Site icon Telegrafi

Të rinjtë shqiptarë në Shkup ndihmuan familjen maqedonase, Vojçe Milloshevski: U befasuam nga fqinjët tanë shqiptarë

Një grup të rinjsh shqiptarë në Shkup kanë treguar humanizmin e tyre duke ndihmuar një familje maqedonase, të cilët jetojnë në kushte të vështira në Çair.

Të rinjtë shqiptarë thonë se asnjëherë nuk kanë pyetur nëse nevojtarët janë shqiptar apo maqedonas apo të ndonjë etnie tjetër. Qëllimi i tyre vetëm ishte ana humanitare.

Familja maqedonase Milloshevski (Vojçe dhe Valentina) jeton në Shkup që nga vitet 1960 në rrugën “Dizhonska” në Komunën e Çairit, lagje ku shumica e banorëve janë shqiptarë etnikë. Problemi i jetës së Valentinës dhe Vojçes ( i cili është i paralizuar) nuk janë dallimet kulturore, por sfidat e varfërisë.

Gjyshja Valentina në një bisedë për Gradska.mk thotë se nga momenti kur bashkëshorti i saj la punën para 25 vitesh, jeta e tyre ishte në kufijtë e ekzistencës, pasi Vojçe iu nënshtrua dy herë intervenimeve kardiake, më pas pësoi goditje në tru dhe ende është duke vuajtur pasojat e kësaj sëmundjeje.

“Më duhej të kujdesesha për burrin tim të sëmurë, të punoja dy ose tre punë në ditë, të pastroja në institucione që paguanin shumë pak, si dhe të punoja si pastruese në shtëpi private për të mbajtur dy vajzat e mia që në atë kohë ishin gjithashtu në shkollë. Edhe Vojçe pas largimit nga puna, ka punuar privatisht si automekanik, por me modernizimin e makinave, puna i është zbehur sepse duheshin pajisje moderne kompjuterike për riparimin e makinave”, tregon gjyshja Valentina.

Ky çift jeton në një shtëpi të vjetër me tulla, me dy dhoma në të cilat ka të çara të shkaktuara nga tërmeti në Shkup në vitin 2016. Duke treguar dhe duke u dridhur me lot në sy, Valentina dhe Vojçe e kujtojnë atë periudhë si periudhën më të vështirë pasi nuk kishin ku të flinin. Ata kërkuan ndihmë nga institucionet dhe komuna, por pa rezultat.

Valentina aktualisht është e punësuar në NP “Higjiena Komunale” si pastruese, sipas saj, punësimi është arritur falë një ish-drejtori shqiptar që është njohur me rastin e tyre dhe ka siguruar punësim.

Së fundmi ata janë surprizuar nga fqinjët shqiptarë. Me rastin e festës së Bajramit të Fitrit, një grup të rinjsh të cilët vullnetarisht merren me organizata humanitare dhe sociale, erdhën për të takuar çiftin e moshuar, ashtu siç bëjnë me familjet e tjera në nevojë për ndihmë.

“Dikush trokiti në derë, ne dolëm dhe pamë tre djem, na thanë se donin t’i jepnin xha Vojçes një pako me ushqime, vërtet u habitëm, ishte ndihma e parë që morëm nga dikush, ishte shumë mirë, i falënderojmë publikisht sepse ishte një gjest i mirë”, tha Vojçe Millosevski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kush janë këta të rinj?

Në fillim të këtij viti disa të rinj hapën një faqe në Facebook me emrin (Rinia e Dizhonit) të cilët u organizuan për mirëmbajtjen e parkut pranë lagjes duke organizuar pastrimin e parkut çdo javë, si dhe duke pastruar dhe mirëmbajtur karriget dhe koshët e plehrave.


Aktiviteti i tyre u zgjerua menjëherë, ku një pjesë e mërgimtarëve të vendbanimit dhuruan mjete dhe me ato mjete rregulluan shatërvanin në park dhe përgatitën pako ushqimore që ua dhuruan familjeve nevojtare.

Ismail Muslija, një nga anëtarët e këtij grupi, thotë se është i lumtur që i ndihmojnë edhe bashkëqytetarët maqedonas.

“Ishte një gjest i vogël si dhurimi i një pako me ushqime. Nuk do të ndalemi me kaq, ne do ta ndihmojmë këtë familje dhe familjet e tjera në nevojë, pa dallim etnie apo feje”, tha ai. Ai premtoi se nëse ka nevojë do të organizohen dhe do të ndihmojnë me kujdesin mjekësor./Telegrafi/

Exit mobile version