Të rinjtë në Maqedoni vazhdojnë ta shohin të ardhmen e tyre në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian. Cilësia e ulët e arsimit, standardi i ulët jetësor dhe papunësia, është ajo që i dëbon të rinjtë jashtë vendit.
Ekspertët thonë se nëse vazhdon edhe më tej trendi largimit të të rinjve, Maqedonia si shtet shumë shpejt do të përballet me problemin e mungesës së kuadrit të kualifikuar.
“Vendi po zbrazet nga zejtarë të profileve të ndryshme. Tani është bërë e vështirë të gjeni një mjeshtër të mirë në më shumë profile ata mungojnë. Ata brenda tre muajve sa mund të kenë leje qëndrimi arrijnë të sigurojnë të ardhura shumë më shumë sesa është lartësia e pagës në nivel vjetor këtu”, thotë Petar Gooshev, ish Guvernator i Bakës Popullore të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë qe qeveria e Maqedonisë përmes programit “Garancia e të rinjve e cila zbatohet edhe në vendet e Bashkimit Evropian”, vetëm gjatë vitit të fundit ka përfshirë 2 mijë të rinj prej të cilëve 600 kanë arritur të punësohen.
Por, Zoran Ilievski nga koalicioni i të rinjve “Sega” thekson se për tu ndalur trendi i largimit të të rinjve nga vendi, veçanërisht ata që janë në profilet deficitare, nevojitet me urgjencë të përmirësohet cilësia e arsimit si dhe të punohet në rritjen e pagave.
“Me patjetër duhet fokusuar veçanërisht në ngritjen e cilësisë së arsimit në shkollat profesionale. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se të rinjtë me dijen e fituar duhet të jenë konkurrues në tregun e punës por në këtë treg pune duhet të sigurojnë të ardhura për një jetë dinjitoze” thotë Ilievski.
Nga ana tjetër, Arlinda Baftiu, aktiviste për të drejtat e të rinjve, për Radion Evropa e Lirë thotë se ambienti politik aktual ka shuar dhe shkëndijat e vogla të cilat, sic thotë, dukeshin në horizont me aktivitetet e fundit të qeverisë.
“Ambienti aktual politik, bën që ata të jenë të dëshpëruar për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Tani kjo krizë edhe më shumë i ngufat shpresat për të ndërtuar të ardhmen këtu sepse për vite me radhë ata përballen me të njëjtat probleme”.
“Tani jemi në një situatë politike akoma më kritike sidomos pas dështimit të referendumit, dhe mendoj kjo do të bëj që të rritet edhe më shumë fluksi i largimit të të rinjve nga vendi, për shkak të krizës në të cilën ndodhet vendi dhe dëshpërimit nga mos zgjidhja e problemeve të shumta me të cilat përballen të rinjtë për vite”, thotë Baftiu.
Ndryshe, sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave në vitin 2017, për punë nga mosha 15 deri në moshën 35 vjeçare janë paraqitur mbi 114 mijë qytetarë që përbën mbi 50 për qind të numrit ët përgjithshëm të personave që kërkojnë punë në Maqedoni.
Këto të dhëna tregojnë se qeveria duhet me seriozitet t’i qaset problemit të papunësisë te grupmoshat e reja, thonë ekspertë në këtë lëmi./REL/