Kuvendi Rinor i Kosovës ka shënuar sot 10 vjetorin e themelimit me ç’ rast u vlerësua se të rinjtë e vendit janë të gatshëm të punojnë vullnetarisht për mirëqenien e qytetarëve.
Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Kastriot Luma, tha se ky 10 vjetor i gjen me 20 degë të themeluara dhe me disa projekte në implementim.
Ai tha se krijimi i një qytetarie aktive do të bënte që të rinjtë të kenë një rol shumë të rëndësishme.
Luma ka kërkuar mbështetjen e institucioneve të Kosovës për të rinjtë e vendit, teksa e quajti të mirëseardhur iniciativën e ministrit Kujtim Gashi, për plotësim-ndryshimin e ligjit për të rinjtë.
“Ky është momenti kur vendi ynë Kosova, ka më së shumti nevojë për ne. Nëse me të vërtetë duam të kontribuojmë, atëherë ka disa mënyra, e një ndër to është angazhimi ynë përmes vullnetarizmit”, tha ai.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se është shumë me rëndësi që organizatat rinore të kenë qëndrueshmëri. Ai theksoi se Kuvendi i të Rinjve të Kosovës është alet i MKRS-së.
Gashi tha se janë të interesuar që praktikën e të rinjve ta bëjnë që të njihet si përvojë pune.
“Ajo që është me rëndësi është që Kuvendi i të Rinjve ka pasur një qëndrueshmëri dhe sot është funksional në 20 komuna të Kosovës”, tha ndër të tjera ai.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se aktivizimi i të rinjve është nevojë që rinia e vendit të jetë e anëtarësuar në organizata ndërkombëtare që prioritet kanë rininë.
Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, tha se rinia duhet të angazhohet me përkushtim dhe punë, që si kategoria me margjinalizuar të zënë vendin që u takon.
Ai tha se ndryshe, as përparimi shoqëror nuk do të jetë aty ku duhet të jetë. /KP/Telegrafi/