Site icon Telegrafi

Të rinjtë duan të ikin, Gallup: Shqipëria me normën më të lartë në botë

Për shumë vite me radhë, mosha e re e popullsisë është konsideruar nga ekonomistët si shpresa më e madhe e Shqipërisë drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik, por kjo shpresë po shuhet.

Sipas një vrojtimi të “Gallup”, 79 për qind e të rinjve shqiptarë nga 15-29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria.

Kjo është norma më e lartë në botë, me diferencë të theksuar nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë ato në konflikte të armatosura.

Ndër vendet e rajonit, shifra e dytë më e madhe vihet re në Bosnje-Hercegovinë, me 62 për qind, e më pas Maqedonia me 51 për qind, ndërkohë që për Serbinë dhe Malin e Zi, pjesa e të rinjve që duan të largohen është më e ulët se 50 për qind.

Arsyeja pse të rinjtë shqiptarë duan ta braktisin vendin e tyre është mungesa e vendeve të punës dhe perspektivës për të ardhmen.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë të vitit papunësia për moshat nga 15-29 vjeç ishte 22.6 për qind, gati dy herë më e lartë sesa papunësia mesatare. Por, më shumë sesa mungesa e punës, të rinjtë i largon humbja e shpresës.

Largimi i të rinjve po shndërrohet në një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, një fenomen që ka pasoja të mëdha negative për të ardhmen e ekonomisë, financave publike, por edhe në rrafshin social./Tch/

Exit mobile version