Site icon Telegrafi

Të rinjtë duan punësim sezonal edhe në Kosovë

Të rinjtë në Kosovë, të cilët përbëjnë numrin më të madh të të papunëve, kërkojnë dhe dëshirojnë të punojnë së paku punë sezonale në tregun kosovar.

Në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë e anketuar thonë se gjatë pushimeve verore, janë të gatshëm të punojnë punë nga më të ndryshmet, në mënyrë që të sigurojnë mjete financiare për vitin e ri akademik.

Interesim më të madh për punësim sezonal, të rinjtë në vazhdimësi kanë paraqitur për në vendet e Bashkimit Evropian, po ata tashmë shprehen të gatshëm të punojnë edhe në tregun kosovar.

Njëra nga to është Aulona Shehu, studente në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Aulona thotë se me dëshirë do të punonte ndonjë punë, edhe nëse nuk paguhet, vetëm sa të përfitojë përvojë pune.

“Çka do që të jetë, edhe nëse nuk paguhet, por veç të fitoj përvojë pune, do të ishte mirë dhe kisha pranuar. Në Kosovë, ka oferta, por jo edhe shumë – varet edhe sa janë të interesuar studentët”.

“Unë kam dëgjuar se nëse shkon edhe kërkon nga ndonjë ministri e caktuar, për të bërë praktikë, ata e mundësojnë. Por, kjo varet nga interesimi i studentëve, se qysh po interesohen për të siguruar një punë sezonale, apo më shumë po kanë dëshirë të rrinë pa punuar dhe të thonë se s’ka punë”, thotë Aulona.

Punësimi sezonal i të rinjve, në shumë vende, është praktikë efikase, nëpërmjet së cilës të rinjtë angazhohen për të krijuar një buxhet solid, për plotësimin e nevojave të tyre, thotë edhe Heroina Rama, studente, e cila e konsideron të nevojshëm punësimin gjatë pushimeve verore.

“Po do të punoja dhe do të ishte një lehtësi financiare, sepse paratë për harxhimet e nevojshme, i kisha fituar vetë dhe nuk do të varesha nga familja. Nuk kam ndonjë sektor të caktuar, ku do të kisha dëshirë të punoj. Punësimi sezonal është si projekt i domosdoshëm, pasi ka shumë studentë që vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës, dhe banojnë me qira dhe një punë për ta, do të ishte zgjidhje perfekte”, shprehet Heroina.

Se puna sezonale është e domosdoshme, thotë studenti i vitit të parë në Stomatologji, Genti Sheholli. Ai thotë se shumicën e kohës pushimin veror të rinjtë e kalojnë në qytete dhe kafiteri të ndryshme.

“Mendoj se puna sezonale është e domosdoshme, pasi gjatë pushimeve verore, të rinjtë kohën e kalojnë të zhgënjyer, tërë ditën shëtisin dhe nuk bëjnë asgjë produktive. Me punë sezonale, nuk do të thotë se do fitosh shumë para, por kryesorja nuk rri kot dhe mësohesh të fitosh paranë tënde e të mos varesh nga askush. Si dhe e kupton se nuk është e lehtë të fitohen paratë”, tha Sheholli.

Fronita Krasniqi, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se ka oferta për punë sezonale, por jo edhe interesim të të rinjve.

“Do të punoja dhe mendoj se është ide e mirë. Deri më tani nuk kam punuar, por me dëshirë do të punoja. Unë mendoj se ka oferta të shumta, sidomos në promocione. Dhe do të ishte më e lehtë edhe në aspektin financiar”.

Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, punësimi sezonal do të ishte i domosdoshëm për të rinjtë, thotë Argjend Softoli, student në Universitetin Publik të Kosovës.

“Po do të punoja punë, të cilat nuk do t’i rrezikonin studimet. Arsyeja e vetme që ne studentet obligohemi të punojmë, janë kushtet e rënda ekonomike financiare, me të cilat përballen familjet tona, në përgjithësi. Unë nuk di që ka kompani të huaja në Kosovë që ofrojnë punë për këtë periudhë, por nëse ka oferta të tilla, me siguri se do të punoj ndonjë punë”, thotë Argjendi.

Ngjashëm shprehet edhe studenti Burim Kastrati.

“Është shumë e vlefshme të hapen punë sezonale në Kosovë, për arsye se studentët kanë nevojë për punë sezonale, kane nevojë për financa për t’i kryer studimet.Unë do të kisha punuar në administratë apo diçka që ka të bëjë me banka dhe financa, sepse është më e lehtë. Ndërsa, po të punohet punë fizike, do të na merrte më shumë kohë për studime”, tha ai.

Rrezarta, studente në Fakultetin Juridik, thotë se do pranonte të punonte vetëm nëse siguron punë në drejtimin që studion.

“Nëse paguhet mirë dhe nëse është në drejtimin që jam duke studiuar po, tjetër punë jo”, thotë e bindur Rrezarta.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 57.7 për qind e të papunëve në Kosovë i takon moshës 15-24 vjeç. /rel/

Exit mobile version