Telegrafi

Të rinjtë: Deputetët po marrin paga të pamerituara (Video)

Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk është konstituuar për shkak se koalicioni që i fitoi zgjedhjet nuk po arrin ta bëjë këtë. Po i nevojiten edhe disa vota nga partitë tjera për ta plotësuar numrin e mjaftueshëm prej 61 sosh.

Megjithatë, disa herë u tentua, por dështuan seancat, sepse, herë koalicioni fitues e lëshoi sallën, e herë kërkoi shtyrjen e saj, duke kërkuar më shumë kohë për formimin e Kuvendit dhe të qeverisë.

Kjo ka bërë që ata të marrin para ende pa arritur të themelohen institucionet të cilën gjë ata e kanë obligim.

Të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë për rubrikën “VOX”, thonë se deputetët po marrin paga pa meritë.

Erita Qafleshi – studente, këtë e vlerëson si të padrejtë.

“Sipas mendimit tim, nuk besoj, për shkak se nuk është e drejtë, pasi që nuk janë duke punuar asgjë, nuk janë duke e bërë ndonjë punë të madhe. Besoj se, derisa të formohet, nuk kanë të drejtë”, ka thënë ai për REL.

Kurse studenti Muhamet Rrukiqi, e gjen një mes për t’u përgjigjur.

“Këtu janë dy variante – edhe e meritojnë edhe nuk e meritojnë”, ka thënë ai.

Për studentin Kastriot Makolli, deputetët nuk duhet të paguhen për punën që nuk e bëjnë.

“Mendoj se deputetët të cilët nuk punojnë nuk duhet të paguhen për punën të cilën nuk e bëjnë”, ka thënë ndër tjera ai.

Ka prej atyre që thonë se deputetët nuk meritojnë fare pagë.

“Mendoj se nuk meritojnë hiq paga, nuk janë duke bërë kurrfarë pune”, ka thënë Vjosa Avdyli, studente.

Ndërkaq, të njëjtët studentë janë pyetur edhe rreth asaj se a duhet deputetët të ndëshkohen për mospjesëmarrje në seanca.

Sipas tyre, deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca pa ndonjë arsye, duhet të gjobiten.