Të reshurat e shiut në rajonin e Tetovës kanë shkaktuar përsëri probleme për banorët e malësisë së Tetovës, por edhe të qytetit, respektivisht, Porojit.
Edhe kësaj radhe, janë vërshuar fushat e punuara, është dëmtuar ujësjellësi në këtë fshat, si edhe rrugët janë bërë problematike për t’i kaluar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas AIM-së, rruga Tetovë-Jazhincë është duke u pastruar nga dheu që e ka sjellë përroska e Porojit. Tani për tani, nuk raportohen dëme tjera në prona të banorëve.
Përndryshe, përroska e Porojit u stërmbush me prurje uji edhe nga të reshurat e muajit të kaluar, duke shkaktuar vërshime të shumta, dëmtoi dy ura, si edhe përmbyti një sipërfaqe të madhe të tokës bujqësore.
Dëme janë shkaktuar edhe në rrugën Shipkovicë – Brodec, e cila ka pësuar plasaritje dhe është bërë e rrezikshme për kalim./Telegrafi/