Multimilioneri 24-vjeç ka këshilluar ‘manjatët e ardhshëm’ sesi mund të bëjnë pasuri – dhe gjithçka sipas tij fillon duke punuar pak.
Lucas Lee-Tyson nga Austin, Teksas, filloi ndërtimin e një jete luksoze, ku si adoleshent arriti të fitojë miliona dollarë, transmeton Telegrafi.
Tani, ky 24-vjeçar ka biznesin e tij të njohur si Growth Cave, ku mëson njerëzit si të fitojnë përmes mediave sociale dhe të shmangin ‘tregtimin e kohës së tyre’ për para.
“Keqkuptimi më i madh për të qenit i pasur dhe i suksesshëm, është se ju duhet të punoni me orë të tëra për të shkëmbyer kohën tuaj me para”, tha ai.
“Të punosh shumë, nuk ju bën multimilioner – na kanë gënjyer tërë kohën për këtë. E vërteta është se gjithçka që duhet të bëni, është të jeni i suksesshëm kur shitni diçka dhe atë e bëni para njerëzve të duhur”, shtoi.
Lee-Tyson pranoi se tani fiton shumë më tepër para sesa si praktikant, dhe punon më pak sesa në fillim të karrierës.
“Tani fitoj 50 herë më shumë sesa kur isha praktikant, dhe gjithçka që bëra ishte të paketoja disa nga gjetjet e mia për njerëzit e duhur që dëshironin t’i mësonin ato”, shtoi ai.
Një punë konvencionale me rrogë sipas tij, thjesht u jep të ardhurave të njerëzve një tavan dhe komoditet – një hipotekë dhe veturë, “do t’i mbajë të mbyllur duke mos rritur potencialin e tyre të fitimit”.
“Unë u them klientëve të mi: ‘Mos e ndërroni kohën tuaj me para’. Ka mënyra tjera”, tha multimilioneri amerikan.
Suksesi i u shpërfaq qysh në fillim të karrierës, kur ai ishte vetëm 13-vjeç.
I apasionuar pas mediave sociale që ishin gjithmonë në rritje, Lucas thotë se gjithmonë ishte i interesuar për fuqinë e internetit.
“Fillova i ri, sepse nëse kisha nevojë për ushqim të shpejtë, video lojëra apo diçka tjetër, më duhet të kërkoja lejen e prindërve sepse nuk më fusnin para në xhep”, tha Lucas, që tani ka 310 mijë ndjekës.
Pranoi se derisa i është dashur gjithmonë t’i kërkojë gjërat për të cilat kishte nevojë dhe kurrë nuk kishte “kontroll” mbi jetën e tij si i ri, kjo e mësoi atë të fitojë para për veten.
“Gjithmonë më është dashur të kërkoj dhe kështu desha të kem një lloj kontrolli për zgjidhjet që i bëja, edhe pse isha shumë i ri. Në fillim fillova të merrem me shitje të grafikave dhe të fitoja sa më shumë klientë. Kur mbusha 15 vjet, i mësova vetes si të bëjë para dhe të shes produkte digjitale, dhe të fitojë rreth 6 mijë dollarë në muaj”, tha ai.
Nga mosha 14 deri në 16-vjeç, Lucas arriti të kursejë 20 mijë dollarë dhe t’i përdor për stilin e jetës që i pëlqente ta bënte gjatë studimeve.
Shpirtin e tij prej sipërmarrësi, ia atribuoi dinamikës së familjes së tij. Babai i tij, është autor i shumë librave, e nëna e tij punon në kolegj, duke ndihmuar njerëzit të paraqesin versionet më të mira të vetes.
E derisa ishte në kërkim të pasionit, ai ndjeu nevojën sikur duhet të punojë më shumë sesa familjarët – kështu kishte problem t’i përshtatet ambientit të familjes.
“Më është dashur të triumfoj mbi vëllezërit e mëdhenj që ishin atletë dhe nxënës të dalluar në kolegj. Ata gjithmonë kishin njëri-tjetrin dhe u ndihesha se nuk përshtatesha në atë ambient. Doja të ndiqja shtegun tim edhe pse asokohe nuk ekzistonte”, shtoi ai.
Pas disa viteve që kurseu para, Lucas filloi të mos lodhet shumë për të hyrat dhe të punonte më pak. Megjithatë pranon se kjo e bëri “dembel” dhe të dhënë pas ahengjeve, por se për çudi të hyrat vetëm sa vijnë e i rriteshin.
Në vitin 2019, në moshën 20-vjeçare, Lucas filloi praktikën në një zyre me një kompani që kishte një buxhet të madh të marketingut digjital, i cili u bë pika ‘kërcyese’ për biznesin e tij.
“Paguhesha 3 mijë dollarë në muaj, por mbyllja marrëveshje reklamimi për kompaninë që kapnin vlerën e 500 mijë dollarëve. Mendova se nëse mund ta bëja qoftë edhe një për qind të kësaj për veten time si sipërmarrës, do të isha i lumtur, kështu që hulumtova gjithçka që munda për mënyrën se si funksiononte marketingu digjital. Mësova veten nga e para duke përdorur të njëjtën këmbëngulje që kisha treguar si fëmijë, përveçse këtë herë isha duke punuar i pavarur pas shefave të mi dhe jo prindërve të mi”, tha 24-vjeçari
Një vit më vonë, Lucas hoqi dorë nga puna e tij, duke arritur të fitojë një milion dollarëshin e parë me një ekip të vogël prej pesë asistentëve virtual që e mbështesnin në punë.
Pronari i biznesit të suksesshëm thotë se kombinimi i krijimit të diçkaje për veten për të shitur dhe për të ndihmuar të tjerët, është ajo që e frymëzoi atë për të nisur agjencinë e tij të marketingut digjital, Growth Cave, e cila parashikohet të fitojë mbi 20 milionë dollarë në 2023.
Ai tani e ka partner në biznes, Ozzie Blessed dhe një grup të mirë prej 35 anëtarëve. Ata kanë synim të fitojnë 100 milionë dollarë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Growth Cave është një kompani trajnimi dhe këshillimi për marketingun digjital që u mëson sipërmarrësve se si të bëjnë më shumë fitime duke përdorur fuqinë e reklamave në mediat sociale.
Pas vitesh që e mbajti sekret perandorinë e tij në rritje nga prindërit e tij, Lucas tani ndan suksesin e tij me ta dhe thotë se ata nuk mund të ishin më krenarë.
“Për një kohë, nëna dhe babi im dyshonin në heshtje. E di se ata pyesnin veten nëse ajo që po bëja ishte e ligjshme. Tani, ata kanë parë kurset që unë shes dhe se si i ndihmoj njerëzit dhe i udhëzoj ata drejt suksesit të tyre online dhe ata janë vërtet krenarë”, tha për fund Lucas. /Telegrafi/