Telegrafi

Të punësuarit në ISHP, telashe me pagesën e orëve shtesë

ishpJanë në linjën e parë të frontit, por mundi i tyre nuk po u paguhet. 200 të punësuarit në Institutin e Shëndeti Publik nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e orëve shtesë. Hezitojnë ta thonë para kamerës, por tregojnë se gjatë tre muajve secili prej tyre ka bërë mbi 190 orë shtesë në këtë Institut.

Nga drejtoria e ISHP thonë se ka bazë ligjore por janë në pritje të aprovimit nga organet përkatëse.

“Në takimin që kishim në Drejtorinë e të Ardhurave Publike ramë dakord të gjendet një modus për lëshimet e sistemit ‘MPIN’ që nuk lejonte pagesën mbi 8 orë shtesë të punës gjatë pandemisë”, tha Shaban Memeti, drejtor i ISHP-së.

Ligji për Marrëdhënie Pune mundëson pagesën e orëve shtesë në bazë të Nenit 119, por jo më shumë se 8 orë në javë. Nga Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale thonë se ka një mundësi.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale:

“Ligji për Marrëdhënie Pune gjithashtu parasheh që në situata krize të jashtëzakonshme, siç është rasti me Pandeminë, lejohen të paguhen të gjitha orët shtesë. Gjë që deri më tani nuk ka ndodhur”.

Kërkesa është lëshuar në fund të majit dhe në rast se miratohet nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, pagesën do ta realizoj Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Nga atje thonë se deri më tani nuk kanë pasur rast të paguajnë më tepër se 8 orë shtesë pune në javë në 110 institucionet shëndetësore që i mbulon ky Fond./Alsat/