Të bashkuar kundër të keqes, të majtë e të djathtë, shqiptarë e maqedonas, myslimanë e të krishterë. Kështu porosisin aktivistët e sektorit civil në kohë kur në Maqedoni po organizohen protesta të ndryshme kundër pushtetit aktual, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Saraçini bën thirrje për një front multietnitk që do të përfshijë të gjitha opsionet politike, etnike, fetare.. të gjitha opsionet që janë kundër këtij krimi.
“Ndarazi është vështir, sepse ata- pushteti, janë bashkë. Është mirë të merremi vesh. Ka gjëra për të cilat mund të merren vesh edhe maqedonasit me shqiptarët, edhe myslimanët me krishterët, edhe të majtit me të djathtit, edhe shqiptarët me shqiptarët, edhe maqedonasit me maqedonasit, sepse e keqja është shumë e madhe. Filluan të zhduken njerëzit, filluan të arrestohen, problemet do të zmadhohen”, deklaroi për Portalb, Saraçini.
Në një linjë të mendimit është edhe Arianit Xhaferi nga OJQ Eco Guerrilla.
“Mendoj që duhet të ketë më shumë reagim në më shumë anë, por besoj që protestat duhet të jenë më gjithëpërfshirëse nëse janë kundër regjimit. Protestat një-nacionale kundër një regjimi ku fajin e ndajnë bashkë parti maqedonase e shqiptare nuk kanë efektin e duhur. Sa më shumë reagime të ketë, aq më mirë, por reagimet duhet të jenë si rezultat i luftës së sinqertë për të shpëtuar vendin nga një regjim që po na dërgon në humnerë, e jo si rezultat (vetëm) i luftës për pushtet”, tha Xhaferi.
Nga ana tjetër, subjektet politike shqiptare jashtë parlamentare konsiderojnë se duhet të theksohen kërkesat e shqiptarëve andaj duhet edhe protesta të pastra etnike kundër këtij regjimi.
Ziadin Sela kreu i LR-PDSH para se të realizojë protestën e organizuar nga subjekti i tij për Portalb pati deklaruar se në Maqedoni, përveç se mungesës së sundimit të së drejtës, korrupsionit, problemet ne esencë janë etnike.
“Ne nuk kemi parë që të protestojnë etnitë tjera edhe pse burgjet janë përplot me shqiptarë, me procese të montuara. Ne nuk pamë protesta nga sektori civil në momentin që nga përgjimet u pa se janë të pafajshëm ata që u dënuan për rastin “Sopoti-n”, kur në pushtet ishte LSDM dhe BDI. Prandaj shqiptarët duhet të protestojnë kundër sistemit fillimisht, dhe jo për të ndryshuar një kryeministër me kryeministër tjetër”, pati thënë Sela.
Një gjë të ngjashme sot e përsëriti edhe Arianit Hoxha, nga Këshilli Opozitar.
“Ka vlera të cilat janë universale dhe ka vlera të cilat i tangojnë vetëm shqiptarët. Ne jemi të hapur për gjitha forcat që duan të na përkrahin, qoftë forca partiake apo jo qeveritare”, ka potencuar ai.
Të dy subjektet janë pro specifikimit të vlerave shqiptare, por duke e mohuar vlerën e bashkimit drejt një të keqeje të madhe. Mbetet që koha ta dëshmon rezultatin e protestave të ndara etnike dhe partiake drejt pushtetit që është i përzier etnikisht dhe partiakisht./Telegrafi/