Site icon Telegrafi

Të prodhosh veten

Nga: Byung-Chul Han
Përktheu: Marsela Likaj

Sot gjërat marrin vlerë vetëm nëse shihen dhe ekspozohen, nëse tërheqin vëmendje. Sot ekspozohemi në Facebook, duke u shndërruar në mall. Dikur, fjala prodhim nuk do të thoshte fabrikim dhe prodhim, por përkundrazi të demonstrosh, ta bësh diçka të dukshme. Ky nivel themelor i kuptimit të prodhimit është ende i gjallë në frëngjisht. “Se produire” do të thotë të dukesh, të shihesh. Edhe në gjermanisht, ky kuptim mund të ndihet ende në përdorimin pezhorativ “prodhoj veten”, në kuptimin e shfaqjes së vetvetes. Sot e prodhojmë veten me zell në rrjetet sociale, në Facebook. Ne prodhojmë informacion dhe për shpejtojmë komunikimin duke prodhuar veten. E bëjmë veten të dukshme, e prezantojmë veten si mall. E prodhojmë veten për prodhim, për ciklin informacionit dhe komunikimit që duhet të përshpejtohet. Jeta si prodhim total i bën të zhduken edhe ritualet edhe festat. Në këto, më shumë shpenzohet sesa prodhohet.

Sot kapitali nënshtron gjithçka. Vlera e jetës (Lifetime value) nënkupton shumatoren e vlerave që mund të përftohen nga një person si klient, nëse çdo moment i jetës së tij komercializohet. Personi njerëzor këtu reduktohet në vlerën e klientit ose vlerën e tregut. Koncepti bazohet në synimin për të transformuar të gjithë personin, tërë jetën e tij, në vlera thjesht komerciale. Hiperkapitalizmi i sotëm e shpërndan ekzistencën njerëzore tërësisht në një rrjet marrëdhëniesh tregtare. Nuk ka më asnjë fushë të jetës që i shmanget shfrytëzimit komercial. Hiperkapitalizmi i kthen të gjitha marrëdhëniet njerëzore në marrëdhënie komerciale. Ai ua grabit dinjitetin njerëzve dhe e zëvendëson plotësisht me vlerën e tregut.

Në botën e sotme ka humbur çdo gjë hyjnore dhe festive. Ajo është kthyer thjesht në një dyqan. E ashtuquajtura ekonomi e bashkëndarjes (Sharing) e kthen secilin prej nesh në shitës që kërkon klientë. Ne e mbushim botën me mallra të një qëndrueshmërie dhe vlefshmërie gjithnjë e më të shkurtër. Bota po mbytet nga mallrat. Ky dyqan nuk është shumë i ndryshëm nga çmendina. Duket se kemi gjithçka. Por, na mungon thelbësorja, pra bota. Bota është bërë pa zë dhe pa fjalë, pra pa tingull. Zhurma e komunikimit mbyt heshtjen. Për hapja dhe grumbullimi i mallrave e shtyn zbrazëtinë. Mallrat mbushin qiellin dhe tokën. Kjo botë e mallrave nuk është e përshtatshme për të banuar. Ajo ka humbur çdo lidhje me hyjnoren, me të shenjtën, me misterin, me të pafundmen, me më të lartën, me sublimen. Ne kemi humbur gjithashtu çdo aftësi për t’u mrekulluar. Ne jetojmë në një dyqan transparent në të cilin jemi të monitoruar dhe të kontrolluar si klientë transparentë. Do të ishte e nevojshme të dilnim nga ky dyqan. Ne duhet ta kthejmë dyqanin në një shtëpi, qoftë edhe një shtëpi festive, në të cilën ia vlen vërtet të jetosh.

Lexo po ashtu Njerëzimi si sëmundje

 

Exit mobile version