Autori i librit “Armët dhe çunat”, Guy Lawson, ka folur rreth filmit për Gërdecin që do të dalë nesër (e enjte) në SHBA.
“Libri im ‘Armët dhe çunat’ ka frymëzuar prodhimin e filmit që do të dalë nesër. Është një prodhim i Hollywoodit, me regji nga i njëjti person që ka bërë serinë ‘The Hangover’. Kështu që ky është një moment emocionues, është vërtet emocionues”.
“Kjo është një histori paksa ndryshe, por ka Shqipëri brenda saj dhe besoj do të jetë një moment emocionues edhe për Shqipërinë. Dua te them edhe diçka: Hollywoodi do të nxjerrë këtë filmin, që është një komedi e zezë”.
“Por, Hollywoodit nuk i bëhet vonë shumë për historinë e vërtetë, sinqerisht as New York Times nuk i bëhet vonë. Janë njerëzit që e duan Gërdecin që duhet të ushtrojnë më shumë presion që e vërteta të dalë një ditë”, citon dritare.net fjalët e Lawson.
Filmi “War Dogs” ka për regjisor Todd Phillips, ndërsa flet për dy tregtarë armës, Efraim Diveroli dhe David Packouz. Rolet kryesore i luajnë Jonah Hill, Miles Teller, Ana de Armas, J. B. Blanc dhe Bradley Cooper.