Telegrafi

Të premten, punëtorët shëndetësorë në grevë 24 orëshe

Punëtorët shëndetësorë në nivel të Kosovës, do të mbajnë grevë 24 orëshe, me datën 30 janar. Ky vendim është marrë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Blerim Syla kryetar i kësaj federate, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se greva mbahet për arsye të mos plotësimit të kontratës kolektive.

Sipas tij, punëtorët shëndetësorë kërkojnë që kontrata kolektive e përgjithshme dhe sektoriale, të filloj së implemntuari dhe siç thotë ai, të fillohet dialogu për rritjen e pagave si dhe implementimi i ligjit të pagave që është i aprovuar që nga viti 2010 nga Qeveria e Kosovës. “Federata sindikale e shëndetësisë, ka marrë vendim që me datën 30 janar të mbahet një grevë 24 orëshe pas shterjes së të gjitha mundësive ku kemi bërë apel te kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, për tu zbatuar kërkesa që ne kemi paraqitur. Nuk është shprehur një gatishmëri as që të negociohet por janë injoruar kërkesat tona” , ka theksuar Syla.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, thotë se për shkak të agjendës së ngjeshur, nuk ka pasur mundësi të takohet me kreun e Federatës Sindikale të Shëndetësisë. “Mua si ministër më ka ardhur informata për grevën. Kërkesat janë që të implementohet komplet kontrata kolektive, të plotësohet ligji për pagat. Ne si ministri respektojmë të drejtën për grevë”.

“Kemi pasur takime me qeveritar dhe ka mundësi që pjesë të caktuara të kontratës kolektive të plotësohen. Pagesa për stazhin këtë vit ka mundësi të përmbushet. Janë ndarë rreth 11.3 milion që do të dedikohen për plotësimin e kontratës kolektive”, ka shtuar ministri Rrahmani.

Ai gjithashtu ka theksuar se do të zhvillohen takime për dialogimin e çështjeve me rëndësi për sektorin e shëndetësisë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, ka bërë të ditur se greva nga ana e punëtorëve shëndetësore do të mbahet, por rastet emergjente të pacientëve do të merren parasysh. “Ne jemi të informuar dhe sipas ligjit në fuqi do të respektohet ligji për grevat. Shërbimet emergjente do të punojnë, mirëpo ne do të zbatojmë ligjin në fuqi për grevat”, ka theksuar Gjocaj. /Rel/Telegrafi/