Telegrafi

Të premten, protestë kundër themelimit të komunës së Prilluzhës

Për të kundërshtuar krijimin e komunës së Prilluzhës, e cila mendohet se do të jetë pjesë e integruar e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të premten në Vushtrri do të organizohet protestë.

Sipas organizatorëve, protesta do të mbahet në ora 13:00, në sheshin “Hasan Prishtina” të këtij qyteti.

Në arsyetimin e dhënë nga ana e atyre që po thërrasin në protestë, thuhet se themelimi i një komune të tillë prek bazenin e thëngjillit dhe termocentralin.

“Prilluzhë, Gracë, Babimoc edhe Plemetin, mendohet të jenë 4 fshatrat fillestarë për ta themeluar Komunën e Prilluzhës. Fshati Plemetin kufizohet me termocentralin dhe me një pjesë të pasurive të thëngjillit në Kosovë. Themelimi i Komunës së Prilluzhës, i jep të drejtë kësaj komune që ta kontrollojë dhe kushtëzojë përdorimin e thëngjillit. Përmes themelimit të kësaj komune dhe integrimit të saj në ‘Zajednicë’, Serbia merr kompetenca vendimmarrëse në përdorimin e thëngjillit të Kosovës”, thuhet në këtë lajmërim”, thuhet në këtë lajmërim.

Më tutje theksohet se “në territorin e këtyre fshatrave kalojnë edhe hekurudha, rruga nacionale, lumi Sitnica dhe kanali Ibër-Lepenc”.

“Toka bujqësore në këtë rajon ka rendiment të lartë. Me themelimin e kësaj komune rrezikohet që nën menaxhimin e ‘Zajednicës’ që duan ta themelojnë Thaçi e Mustafa, ajo tokë të tjetërsohet. Një pjesë e tokave të banorëve të fshatrave Stanoc i poshtëm dhe Stanoc i epërm, i mbeten tokat në Komunën që duan t’ia kalojnë Zajednicës. Ne nuk do të lejojmë që kjo të bëhet kurrsesi realitet. As ‘Zajednica’ as zgjerimi i saj në kurriz të Vushtrrisë e Obiliqit”, përfundon ky lajmërim.

Ndryshe, organizatore e protestës është Lëvizja Vetëvendosje (VV). /Telegrafi/