Klubi letrar i nxënësve të shkollës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë do të promovojnë audio-librin, të cilin e kanë realizuar për tu ardhur në ndihmë shokëve e shoqeve të tyre, të cilët nuk mund të lexojnë ,gjegjësisht të gjithë fëmijëve që kanë probleme me shikimin ose që janë tërësisht të verbër.
Nxënësit e kanë marrë këtë iniciativë në bashkëpunim me ish-drejtoreshën e kësaj shkolle, Jehona Oruqin, të cilëve me ndihmën e tyre u kanë asistuar edhe profesorët e departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, Remzije Shahini – Hoxhaj, dhe Muhamet Jahiri.
Profesori, Alban Zeneli, ka thënë për Telegrafin se e kanë pritur me shumë entuziazëm nismën e kësaj pune siç tha ai, fisnike, për të mundësuar dëgjimin e librave për fëmijët që kanë probleme me të parë.
Zeneli e konsideron ndihmën që u kanë dhënë këtyre fmëijëve si modeste, duke theksuar se ata e kanë bërë gjithë punën vet, përveç asistimin në aspektin teknik dhe në shqiptimin e drejt të fjalëve e të fjalive.
“Departamenti i Gazetarisë i ka prit me shumë entuziazëm fëmijët e shkollës “Pjetër Bogdani”, të cilët për mendimin tim kanë bë një punë shumë fisnike për me ua mundësu fëmijëve që nuk mund të lexojnë, dëgjimi n e librave, gjegjësisht lektyrave shkollore. Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, ka asistu me këshilla për lexim, saktësisht i ka ndihmu fëmijët në aspektin e shqiptimit të fjalësve dhe të fjalive fillimisht. Ndërsa i kemi ndihmuar gjithashtu në aspektin teknik, me njohuri për t’i lidhur pajisjet, ata i kanë pasur pajisjet por ju kemi ndihmu në lidhjen e tyre. Ndihma jonë ka qenë modeste, jo ndihmë direkte diçka sepse punën ata e kanë bërë vet”, tha Zeneli për Telegrafin.
Ky është vetëm libri i parë të cilin kanë arritur ta bëjnë vullnetarisht me ndihmën e miqve e bashkëpunëtorëve, fëmijët e shkollës “Pjetër Bogdani”, duke u dhënë kështu një ndihmë sado të vogël fëmijëve me probleme në të parë.
Ky libër, do të promovohet të premten e 6 marsit, në ambientet e shkollës “Pjetër Bogdani”, ku i pranishëm pritet të jetë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e të tjerë zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit. /Telegrafi/