Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka bërë të ditur se ditën e premte, më 29 nëntor, në të gjitha xhamitë e Kosovës, pas namazit të xhumasë, organizon aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për ndihmë të prekurve nga tërmeti i ditës së sotme në Shqipëri.
Sipas një njoftimi, Kryesia e BIK, fton të gjithë besimtarët dhe qytetarët e vendit që të gjejnë forcë e kurajë që të solidarizohen dhe t’u dalin në ndihmë vëllezërve dhe motrave tona për të përballuar dëmet dhe për ta tejkaluar gjendjen nga tërmeti i sotëm.
“Po ashtu, edhe hytbeja e xhumasë, do t’i kushtohet solidaritet dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit në raste vështirësish dhe fatkeqësish”, thuhet në njoftimin e BIRK.
Ndryshe, e marta (26 nëntor) filloi me disa tërmete të fuqishme në Shqipëri, i pari u regjistrua në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti i fuqishëm ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.
Dridhjet janë ndier shumë edhe në Kosovë, por nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa në Shqipëri deri në orën 18:00 janë raportuar për 20 viktima dhe shumë të lënduar. /Telegrafi/