Telegrafi

Të premten bojkotohet mësimi

Shkollat e arsimit para universitar në Kosovë do ta bojkotojnë mësimin në ditën e premte, më 30 janar, në shenjë pakënaqësie për moszbatimin e Kontratës Kolektive nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për KosovaPress se të premten do të mbahet grevë një ditore, derisa i ka porositur prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. “Shkollat janë duke u përgatitur për grevën 1 ditore të 30 janarit dhe ajo që na brengos shumë është kërkesa e ashpërsuar e tyre që pas kësaj greve të shkojmë menjëherë me veprime tjera sindikale. Ne do ta mbajmë grevën e të premtes që është 1 ditore dhe nga këtu i kisha drejtuar prindërve për mirëkuptim që mos t’i nisin nxënësit për në shkolla nga se greva e mësimdhënësve sipas gjitha gjasave do të filloj në ora 8:00 dhe do të mbyllet në ora 12:00 dhe në grevë do të jenë bashkërisht mësimdhënësit e të dyja ndërrimeve. Këtë që po e them është edhe me konventa ndërkombëtare edhe me ligjin e grevës”, ka thënë ai.

Kryetari Jasharaj ka thënë se kërkesat e tyre mbesin të njëjta siç është pagesa prej 2 euro në ditë për shujtë të mësimdhënësit, realizimi prej 0,5 për qind e pagesës për çdo vit të punës, 70 për qind e mjeteve për mësimdhënësit udhëtarë si dhe 3 paga suplementare të cilat janë të garantuara me Ligjin e Punës dhe kontratën kolektive.

“Ne çdo ofertë që na jep të re qeveria, çdo kërkesë që ndonjëra prej pikave të implementohet pak më vonë për shkaqe buxhetore apo për shkaqe të situatës ne do ta diskutojmë me mësimdhënësit dhe unë po them edhe një herë, unë jam vetëm zëri i mësimdhënësve, atë që e thonë mësimdhënësit e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Jasharaj, ka theksuar se për dallim nga dy grevat e kaluara ku ka qenë një numër prej rreth 20 institucionesh të arsimit parauniversitar që nuk kanë marrë pjesë, të premten pritet që bojkotimit të punës t’i shtohen edhe këto institucione pasi sipas tij të gjithë mësimdhënësit e kanë kuptuar seriozitetin e kësaj nisme.

Në grevën e së premtes përjashtohen institucionet parashkollore. /Telegrafi/