Site icon Telegrafi

Të prekurit me COVID-19 e kanë përshkruar luftën me virusin

Derisa vazhdimisht po dëgjojmë për raste të reja me COVID-19, të prekurit ngadalë kanë filluar të shërohen dhe ta rimarrin veten.

Shërimi varet nga simptomat, koha kur personi është infektuar dhe nëse ka vuajtur më herët pacienti nga ndonjë sëmundje kronike, transmeton Telegrafi.

Tek disa simptomat thjesht “zhduken”, te të tjerët mbesin e madje u shkaktojnë pasoja të mëdha siç është dëmtimi i mushkërive.

Pesë persona kanë shpjeguar në detaje për Business Insider se si janë ndjerë derisa kanë qenë të sëmurë me COVID-19.

Clay Bentley (Georgia)

Bentley që i ka 50 vjet vuan nga artriti reunmatoid, Ai tha se simptomat e para i kishte ndjerë pasi kishte kënduar në korin e kishës ku janë rreth 100 anëtarë.

Gjithçka filloi më 1 mars, kurse më 6 është dërguar në spital, pasi kishte probleme me frymëmarrje dhe nuk mund të qëndronte në këmbë. Kishte sasi të madhe të lëngjeve në mushkëri.

“As që kam mundur të marrë frymë. Jam ndjerë shumë i lodhur dhe aspak nuk kisha forcë. Madje nuk mund të qëndroja as ulur e lëre më të ngritëm në këmbë”, thotë Bentley.

Por, gjendja shëndetësore iu përmirësua më 17 mars, kur edhe mjekët konstatuan se sasi e ujit në mushkëri i është zvogëluar. Ai u lëshua nga spitali pas dy javësh karantinim duke qëndruar vetëm në dhomë larg gruas.

Tedd Herman (Neë York)

Herman ende nuk është shëruar nga virusi që kur befasisht filloi ta ngufaste. Të nesërmen ai kishte rezultuar pozitiv në testin e coronavirusit dhe atë falë një termini që e kishte pasur për kontroll, me qëllim që ta kuptojë nëse është i prekur me COVID-19. Thotë se më së shumti kishte pasur probleme me ngufatje. Ka mjaftuar të ecë nga njëri cep i apartamentit në tjetrin, që të mbetet pa frymë. Përveç kësaj ndihej shumë i lodhur dhe kishte kokëdhembje.

“Kurrë më parë nuk kam ndjerë shtrëngim të fortë në gjoks, por ka qenë një shtrëngim pa kollitje dhe ndonjë simptomë të ndonjë gripi”, thotë Herman.

Ai e konsideron përparësi që më herët nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike.

“Pas kësaj e kam kuptuar me çfarë probleme janë ballafaquar njerëzit me sëmundje kronike në veçanti ato në mushkëri”, ka shtuar ai.

Elizabeth Snider (Washington)

Elizabeth Snider dy javë më parë e ka kuptuar që ka rezultuar pozitive në testin e coronavirusit, me të cilin ishte infektuar më 22 shkurt gjatë një ahengu.

“Tri ditë më vonë, jam ndjerë shumë keq dhe kam pasur simptoma të një gripi. Nuk jam kollitur, nuk kam pasur probleme me frymëmarrje apo shtrëngim në gjoks e as ngufatje. Për këtë mendoja se jam e ftohur nga ndonjë lloj gripi”, ka deklaruar ajo për Fox News.

Carl Goldman (Pasagjer në anijen Diamond Princess)

Në rastin e tij, simptomat e para kanë qenë temperatura e madhe dhe ngufatja. Më vonë ka filluar edhe kollitja.

“Po të mos isha infektuar, sigurisht se do të kthehesha në punë pas 48 orëve”, ka deklaruar 67-vjeçari Goldman për Business Insider derisa po qëndronte i shtrirë në spitalin e Nebraskas.

Pasi kishte zbritur nga anija, i ka kaluar 10 ditë në izolim ku i kanë dhënë “Ibubrufen” kundër temperaturës së lartë dhe dhimbjeve si dhe pije energjike Gatorade për të mos u dehidratuar.

“Është më ndryshe sesa një ftohje apo një grip. Fyti nuk më është mbyllur, nuk kisha dhimbje madje as edhe në kokë”, ka thënë ai.

Scott

I prekuri me COVID-19 ka deklaruar për BBC, se sëmundjen e ka zbuluar 10 ditë pasi u rikthye nga Italia.

“Nuk kam pasur simptoma. Kam qenë mirë dhe punoja pa ndonjë problem. Por në vikend fillova të ndjejë sikur do të ftohem nga ndonjë grip. Kisha paksa temperaturë të lartë, dridhesha, e simptomat më të forta kanë qenë dhimbja në veçanti në këmbë”, ka shtuar ai që pranoi se me kalimin e ditëve filloi të kollitej dhe të ngufatej.

Pasi që në testin e coronavirusit kishte rezultuar pozitiv, ishte dërguar në spital, por tani thotë se nuk ka ndonjë simptomë. Por, pavarësisht kësaj, ai është mbajtur aty edhe për disa ditë derisa ka rezultuar negativ. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version