Telegrafi

Të pesë personat në nëndetësen e zhdukur Titan besohet se kanë vdekur

Të pesë personat në bordin e nëndetëses së zhdukur Titan besohet se kanë vdekur, tha në një deklaratë kompania që operon atë.

“Ne tani besojmë se CEO ynë Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet, fatkeqësisht kanë humbur”, thuhet në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Një ‘fushë e mbeturinave’ gjendet brenda zonës së kërkimit - të ‘nëndetëses së zhdukur’ - pranë Titanikut

“Këta njerëz ishin eksplorues të vërtetë që ndanin një frymë të veçantë aventure dhe një pasion të thellë për të eksploruar dhe mbrojtur oqeanet e botës”, thuhej më tej.

“Zemrat tona janë me këta pesë shpirtra dhe çdo anëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike”.

“Kjo është një kohë jashtëzakonisht trishtese për punonjësit tanë të përkushtuar, të cilët janë të rraskapitur dhe të pikëlluar thellë për këtë humbje. E gjithë familja OceanGate është thellësisht mirënjohëse për burrat dhe gratë e panumërt nga organizata të shumta të komunitetit ndërkombëtar që ofruan burime të gjera dhe kanë punuar kaq shumë në këtë mision”.

“Ne e vlerësojmë angazhimin e tyre për të gjetur këta pesë eksplorues dhe ditët dhe netët e tyre të punës së palodhur në mbështetje të ekuipazhit tonë dhe familjeve të tyre”.

“Kjo është një kohë shumë e trishtuar për të gjithë komunitetin e eksploruesve dhe për secilin nga anëtarët e familjes së atyre që humbën në det. Me respekt kërkojmë që të respektohet privatësia e këtyre familjeve në këtë kohë më të dhimbshme”, është thënë në deklaratë.

Ndërkohë edhe Roja Bregdetare e SHBA-së konfirmon se ekuipazhi i nëndetëses Titan ka vdekur pas ngjarjes ‘katastrofike’.

Admiral John Mauger, ka thënë se “pas këtij përcaktimi, ne njoftuam menjëherë familjet në emër të Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë komandës së unifikuar. I shpreh ngushëllimet më të thella familjeve”.

Ndryshe, një anije zhytëse që kishte pesë turistë – në një udhëtim të thellë në oqean për të parë rrënojat e Titanikut – u zhduk të dielën, duke nxitur një përpjekje të madhe kërkimi. /Telegrafi/