Një nga gjërat më të mërzitshme të shtatzënisë, janë të përzierat e mëngjesit. Nëse jeni me fat, mund të mos i keni, por pjesa dërrmuese e femrave nuk u shpëtojnë dot
Me këtë term përfshihen neveritë apo të vjellat që hasen gjatë shtatzënisë. Megjithatë, deri diku, ky term është i gabuar, sepse të përzierat nuk ndodhin vetëm në mëngjes. Ato mund t’i hasni në çdo kohë të ditës apo natës.
Të përzierat e mëngjesit, të cilat janë më se të zakonshme gjatë tremujorit të parë, i provojnë rreth 50 deri në 90 për qind e grave shtatzëna. Ato mund të shoqërohen me ose pa të vjella. Shenjat dhe simptomat nisin në përgjithësi nga java e 5-të deri në të 8-n. Ndonjëherë nisin edhe dy javë pas ngjizjes. Shpeshherë ato qetësohen nga java e 13-të apo e 14-të e shtatzënisë. Megjithatë, te disa gra, vazhdojnë edhe pas tremujorit të parë.
Zakonisht, nuk është e nevojshme të merren mjekime për të përzierat e mëngjesit, pasi mund të gjeni shpëtim nëse hani shpesh dhe pak, si dhe të provoni limonadë me xhenxhefil. Vetëm në raste shumë të rralla, të përzierat e mëngjesit mund të jenë aq të rënda, sa të klasifikohen si hyperemesis gravidarum. Në rast se konstatohet një gjendje e tillë, është e nevojshme të shtroheni në maternitet për të marrë serumet dhe mjekimet e duhura në rrugë intravenoze.
Hormonet dhe informacione të tjera: nuk është plotësisht e qartë se cili është shkaku i vërtetë i këtyre të përzierave, por mendohet se një rol të rëndësishëm luajnë ndryshimet hormonale, shkruan në librin ‘Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme’.
Thuajse të gjitha gratë shtatzëna mund të preken nga kjo gjendje, por më shumë mund të preken ato që:
▪ kanë pasur të përziera apo të vjella gjatë udhëtimeve, për shkak të migrenës, aromave, shijeve të caktuara, apo ekspozimit ndaj estrogjenit (nëse kanë përdorur barna për të mos mbetur shtatzënë) para shtatzënisë;
▪ kanë pasur të përziera në mëngjes gjatë shtatzënive të mëparshme;
▪ presin binjakë apo më shumë fëmijë. Nga studimet e kryera rezulton se gratë që kanë të përziera në mëngjes, kanë më pak gjasa të pësojnë abort në fazat e hershme të shtatzënisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ju rrezikoni të abortoni, nëse nuk keni të përziera. Disa gra thjesht duket se kanë më tepër imunitet ndaj këtyre të përzierave, që shoqërohen me shtimin e hormoneve gjatë shtatzënisë.
Si të lehtësoni të përzierat
Për t’i lehtësuar sa më shumë ato, veproni si më poshtë:
Zgjidhini me kujdes ushqimet. Zgjidhni ushqime të pasura me karbohidrate, që kanë pak yndyrë dhe që janë të lehta për t’u tretur. Ndonjëherë mund t’ju bëjnë punë ushqimet e kripura, si dhe ato që përmbajnë xhenxhefil, për shembull, lëpirëset me xhenxhefil. Mundohuni të mos konsumoni ushqime me yndyrë, pikante dhe me dhjamë.
Hani shpesh. Para se të ngriheni nga shtrati në mëngjes, hani disa biskota me sodë apo një fetë bukë të thekur shumë. Cimbisni gjatë gjithë ditës dhe mundohuni të mos hani vetëm tri vakte të bollshme. Të përzierat mund të përkeqësohen, nëse stomaku është bosh.
Konsumoni sa më shumë lëngje. Pini ujë apo pije freskuese me xhenxhefil. Mund të mbani në gojë edhe karamele me shije të ndryshme apo edhe lëpirëse.
Bëni kujdes. Mos konsumoni ushqime ose shmangni aromat që jua përkeqësojnë të përzierat. Ajrosini mirë dhomat që të mos mbizotërojnë aromat e gatimit, të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen.
Thithni sa më shumë ajër të pastër. Nëse keni mundësi, në shtëpi apo edhe në vendin e punës, mbajini dritaret sa më shumë hapur, si dhe shëtisni çdo ditë në natyrë.
Bëni kujdes me multivitaminat. Nëse vini re se pasi keni pirë multivitaminën keni të përziera, ju rekomandojmë ta pini atë në darkë ose të shoqëruar me ndonjë ushqim të lehtë. Ndoshta mund të ndiheni më mirë, nëse pas multivitaminës përtypni çamçakëz apo mbani në gojë një karamele.
Nëse këshillat e mësipërme nuk kanë rezultat, pyesni mjekun nëse mund t’i ndryshoni multivitaminat dhe të merrni nga ato që nuk përmbajnë hekur.
Eksperimentoni me akupresurë dhe akupunkturë. Ndonëse ende nuk është vërtetuar efikasiteti i tyre, këto terapi mund t’jua lehtësojnë të përzierat. Akupresura ka të bëjë me stimulimin e disa pikave në trup përmes shtypjes. Qëllimi i fashave akupresurë që vendosen te kyçi i dorës, e që mund t’i gjeni në çdo farmaci, është të stimulojë një pikë të caktuar në kyç.
Mendohet se pas kësaj, të përzierat pakësohen. Akupunktura ka të bëjë me futjen e gjilpërave të holla në lëkurë. Kjo metodë mund të jetë e dobishme për disa gra, por duhet bërë te një akupunkturist i licencuar.