Telegrafi

Të papunët po i humbin shpresat për punë

Sipas zyrtarëve të Qendrës për Punë sociale në Prishtinë, numri i punëkërkuesve gjatë periudhës janar-shtator 2009 ka shënuar rënie për 3% në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar.

Mirëpo, pavarësisht nga kjo, shkalla e papunësisë në vend mbetet alarmuese. Të papunët po i humbin shpresat për punë, ndërkohë që akoma nuk kemi një regjistrim real të popullsisë.

Aktualisht, sipas zyrtarëve të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale numri total i personave të papunë në vend është rreth 338.407, prej të cilëve 160174 janë të gjinisë femërore.

Ndërsa, sipas të njëjtave burime, konkludohet se numri i personave të papunë varësisht nga regjioni është si vijon: 35.934 të papunë janë të regjistruar në komunën e Ferizajit , 40.460 në Gjakovë, 36.465 në komunën e Mitrovicë, duke vazhduar në Pejë ku numri i të papunëve arrin deri në 39.524, Prishtinë deri në 63.869 dhe në Prizren numri i të papunëve arrin deri në 58.097.

Numër i madh i këtyre personave janë ta pakualifikuar, gjë që, sipas zyrtarëve, kjo pamundëson punësimin e tyre në të ardhmen. Kështu, sipas të dhënave nga MPMS, 203.092 e personave të papunësuar janë të pakualifikuar për punë.

Lidhur me këtë, drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Zylkifili Obërtinca tha se qendra të cilën ai e përfaqëson po bënë një punë të shkëlqyeshme për sa i përket Këshillimit dhe Trajnimit të punëkërkuesve në drejtime të ndryshme.

Ndërkohë, sipas të dhënave të këtyre zyrtarëve, grupmosha e këtyre personave konsiston në këto shifra: numri i personave të papunë midis moshës 15-24 vjet është 103.092, prej të cilëve gjini femërore ka 49.816 persona. Midis moshës 25-39 vjeç janë 149.249 persona të papunë, ku prej tyre 71.591 janë femra. Në 65.981 raste të peronave të papunë përfaqësohet mosha prej 40-54 vjeç, prej të cilëve 30.139 janë femra.

Kurse 20.085 persona të papunë janë me moshë mbi 55 vjeç. Ndryshe, zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale kanë bërë të ditur se, këtë javë pritet të publikohen të dhënat edhe për dy mujorin e fundit lidhur me çështjen në fjalë, duke paralajmëruar se papunësia është rrethanë shqetësuese në vend.