Site icon Telegrafi

Të papunët nuk duan kualifikime, duan punë

Struktura e pavolitshme arsimore e të papunëve në Maqedoni dhe mungesa e kualifikimeve të nevojshme janë problemi kryesor për punësimin e tyre, andaj njohësit e ekonomisë sugjerojnë rritjen e interesimit të të papunëve për fitimin e shkathtësive të ndryshme

Më shumë se gjysma e të papunëve në Maqedoni kanë të përfunduar vetëm shkollën e mesme, apo kanë arsim të mesëm të pa përfunduar. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Maqedonisë në tremujorin e parë të këtij vitit shkalla e papunësisë në Maqedoni është 24.5 për qind, ndërsa numri i të papunëve është 231.386 persona në raport me totalin e të punësuarve prej 714.435 persona. Më së shumti të papunë janë me shkollë të mesme katërvjeçare -106.732 persona, me shkollë të mesme trevjeçare të papunë janë 15.793 persona, me shkollë fillore janë -57.862 persona, me arsim të pa-përfunduar fillor janë 3859 persona dhe pa arsim janë 1.908 persona. Struktura e pavolitshme arsimore e të papunëve dhe mungesa e kualifikimeve të nevojshme janë problemi kryesor për punësimin e tyre, andaj njohësit e ekonomisë sugjerojnë rritjen e interesimit të të papunëve për fitimin e shkathtësive të ndryshme. Kjo do t’ju mundësojë që me shfrytëzimin e trajnimeve falas nga ana e Agjencisë për punësimit, të fitojnë kualifikimet e nevojshme që nesër të mund të gjejnë më lehtë punë në profesionet për të cilat ekziston interesim nga ana e punëdhënësve . “Në radhë të parë nevojitet që personat që pranojnë asistencë sociale që të aftësohen dhe rikualifikohen sipas afiniteteve të tyre për ato profesione që kërkohen në tregun e punës, qoftë muratorë, elektricistë e kështu me radhë. Në të kundërtën, do të vazhdojnë të përballen me një krizë të theksuar ekonomike”, thotë për gazetën Koha analisti ekonomik Arben Halili.

Sipas tij, nevojitet të ndryshohet edhe koncepti i arsimit të mesëm të obligueshëm, duke kaluar në një sistem efikas në raport me tregun e punës. “Në praktikë duhet që të bëhet seleksionimi i nxënësve para regjistrimit në shkollën e mesme sipas potencialit të tyre, në ato që do të merren me shkencë dhe në ato që do të shkojnë në zanat. Pra, nevojitet një profilizim më i madh i shkollave të mesme me reduktimin e numrit të kuotave për regjistrimin në gjimnaze apo shkolla mjekësore, gjegjësisht çdo fëmijë nevojitet të orientohet në arsimin e mesëm sipas aftësisë së tij për t’i siguruar nesër një të ardhme më të sigurt lidhur me punësimin”, shton më tej Halili.

Gjithashtu rekomandohet që të gjithë të papunët, pa marrë parasysh nivelin e tyre arsimor, maksimalisht të angazhohen që të investojnë në vetvete, pasi punëdhënësi në radhë të parë vlerëson njohuritë dhe shkathtësitë e ndryshme. Nga ana tjetër, edhe ekonomistët vlerësojnë se në Maqedoni nevojitet t’i kushtohet rëndësi më e madhe krijimit të kuadrit profesional që do t’i përgjigjet nevojave të punëdhënësve. Vlerësohet se në Maqedoni shkollat e mesme nuk ofrojnë kuadër të nevojshëm profesional për nevojat e ekonomisë dhe biznesit. Në ndërkohë edhe firmat në nivel lokal janë ankuar në vitet e fundit për mungesën e harmonizimit të mjaftueshëm të kuadrove që dalin që dalin nga bankat shkollore nga njëra anë dhe mungesës së drejtimit të caktuara të zanateve për të cilat kanë nevojë bizneset./Telegrafi/

Exit mobile version