Site icon Telegrafi

Të pandalshme sukseset e shqiptarëve, Ermal Meta fiton Festivalin Sanremo

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro e kanë fituar festivalin ikonik italian, ‘Sanremo 2018’ dhe do ta përfaqësojnë Italinë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.

Kënga “Non mi avete fatto niente” u shpall kënga më e mirë dhe dy këngëtarët do të jenë pjesëmarrës në Eurosong në Lisbonë të Portugalisë.

Finalja e madhe e këtij viti u zhvillua të shtunën mbrëma në Teatrin Ariston në San Remo, ndërsa mbrëmja gala u drejtua nga Claudio Baglioni, Pierfrancesco Favino  dhe Michelle Hunziker.

Njëzet kandidatë konkurruan për çmimin e madh. Pas raundit të parë të votimeve, në superfinale u kualifikuan Anna Lisa, Lo Stato Sociale, si dhe Ermal Meta e Fabrizio Moro.

Në fund, këngëtari shqiptar dhe kolegu i tij u kurorëzuan me çmimin keyesor të Festivalit Sanremo për vitin 2018.

Fituesi u përcaktua nga një juri speciale e përzier, juria e gazetarëve dhe televotimet.

Italia është një prej vendeve themeluese të Eurovisionit, ku ka debutuar në vitin 1956 në Lugano. Ky vend e ka fituar dy hetë festivalin evropian, në vitet 1964 (Gigliola Cinquetti) dhe 1990 (Toto Cotugno).

Italia u tërhoq nga Eurovisioni në vitin 1997 dhe u kthye përsëri pas 13 vitesh. /Telegrafi/

 

Exit mobile version