Site icon Telegrafi

Të paktën tetë të vdekur – pamje të protestave të dhunshme në Iran pas vdekjes së një vajze të arrestuar pasi “nuk mbante hixhab”

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në disa qytete iraniane ndërsa aktivistët janë përleshur me forcat e sigurisë për vdekjen e Mahsa Amini, një gruaje të re që vdiq në paraburgim pasi u arrestua nga “policia e moralit”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të paktën tetë protestues kanë gjetur vdekjen në pesë ditë trazira, sipas një numërimi të vdekjeve të shpallura zyrtarisht dhe atyre të raportuara nga një grup i të drejtave të njeriut.

“Kam dëgjuar tre të shtëna. Policia po bllokonte rrugët kur unë isha atje. Ishte kaos i plotë”, ka thënë për MailOnline një banor i qytetit Qazvin në Iranin qendror.

“Isha jashtë mbrëmë. Sapo po kaloja nga pjesët qendrore të qytetit me makinën time. Kishte një bllokim të madh trafiku dhe qindra njerëz ishin në rrugë”, tha ai.

“Policia vazhdonte t’u thoshte njerëzve që të mos shkonin në pjesët qendrore, por qindra ishin tashmë atje. Dhe në një moment pati një përplasje mes policisë dhe njerëzve”, vazhdoi ai.

Prokurori shtoi se 25 persona, përfshirë protestues, forca sigurie dhe kalimtarë të rastit, u plagosën gjatë protestave.

Ministri i Telekomunikacionit i Iranit, Issa Zarepour të mërkurën paralajmëroi për kufizime në internet, duke përmendur ‘çështjet e sigurisë së këtyre ditëve’.

Në një tjetër zhvillim, Elon Musk tha se dëshiron të përjashtohet nga sanksionet iraniane në mënyrë që të mund t’i sigurojë vendit internetin e tij satelitor Starlink.

Protestat janë ndër më seriozet në Iran që nga trazirat e nëntorit 2019 për rritjen e çmimit të karburantit.

Zemërimi i publikut është ndezur që kur autoritetet iraniane njoftuan të premten vdekjen e 22-vjeçares Amini, e cila ishte mbajtur nën dyshimin se mbante një shami me hixhab në një mënyrë ‘të pahijshme’. /Telegrafi/

Exit mobile version