Të paktën pesë persona kanë gjetur vdekjen të dielën kur një akullnajë “shpërtheu dhe rrëshqiti” nga mali në Alpet italiane, thanë shërbimet lokale të shpëtimit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, veç tyre, tetë persona të tjerë janë lënduar gjatë aksidentit në majën Marmolada të Dolomiteve lindore.
Mediat lokale përshkruan se si masa të akullit, borës dhe mbeturinave rrëshqitën poshtë malit përpara se të godasin alpinistët.
“Për fat të keq, pesë persona u gjetën të pajetë”, ka thënë zëdhënësja e shërbimeve të urgjencës Michela Canova për Agence France-Presse, duke thënë se numri i të lënduarve “mbetet një numërim i përkohshëm”.
Të lënduarit, përfshirë një person në gjendje kritike, u dërguan në disa spitale në rajonet e Trentino-Alto Adige dhe Veneto, sipas zyrtarëve të shpëtimit.
Ata thanë se të paktën pesë helikopterë dhe disa qen shpëtimi u vendosën gjatë kërkimit.
Punonjësit e shpëtimit duhej të vazhdonin me kujdes për shkak të rrezikut të shembjes së mëtejshme të akullit dhe shkëmbit.
Ndërkohë janë publikuar disa pamje që thuhet se tregojnë momentin kur akullnaja shkëputet dhe zbret në luginë. /Telegrafi/