Site icon Telegrafi

Të paktën dy viktima pasi një aeroplan i vogël u përplas me shtëpitë në një lagje të Kalifornisë Jugore

Të paktën dy persona vdiqën kur një aeroplan Cessna u rrëzua në një lagje të Kalifornisë Jugore të hënën pasdite, thanë zyrtarët.

“Ne kemi vdekje të konfirmuara, nuk e dimë saktësisht sa”, ka thënë Justin Matsushita, zëvendës drejtor i zjarrfikësve për qytetin Santee, në një konferencë për gazetarët. “Ne e dimë se janë të paktën dy të konfirmuar”.

Reaguesit e urgjencës janë në kërkim të viktimave pasi përcaktojnë shkallën e dëmtimit të shtëpive, tha ai, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur më tej, dy shtëpi në një lagje Santee në San Diego County u prekën nga goditja e aeroplanit dhe dy ose tre të tjera u dëmtuan gjithashtu.

Është e paqartë se sa njerëz ishin në bordin e Cessna 340A.

Departamenti i Zjarrit i Qarkut San Diego dhe departamenti i sherifit iu përgjigjën rrëzimit, i cili ndodhi pranë një shkolle të mesme. Shkolla e Mesme Santana shkroi në Twitter se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe incidenti ndodhi disa blloqe më tutje.

Ndërkohë Departamenti i Sherifit të Qarkut San Diego ka paralajmëruar banorët të qëndrojnë larg zonës. /Telegrafi/

Exit mobile version