Të paktën 70 persona mes tyre edhe fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi të dyshuar me arme kimike në Siri.
Këto janë pamjet nga Douma, qyteti i fundit i mbajtur nga rebelet në Ghouta Lindore të Sirisë. Mjekët po luftojnë për te shpëtuar personat e prekur nga substance ende e panjohur, por që besohet të jetë gaz sarin pasi njerëzit po përballen me probleme shëndetësore, si marrje mendsh dhe të vjella, simptoma të njëjta me ato të 4 prillit të një viti më parë, ku 58 persona humben jetën.
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur dhjetëra trupa të pajetë në bodrume. Numri i viktimave mund të rritet.
Qeveria e Sirisë i ka hedhur poshtë dyshimet duke thënë se po luftojnë për të përzënë rebelët nga Douma dhe se bombardimet kanë vazhduar gjatë gjithë të shtunës dhe të dielës. Agjencia e lajmeve siriane shkruan se akuzat për sulm kimik janë sajese e rebelëve që mbajnë nën kontroll qytetin.
Por, sipas qendrës “Media Ghouta” pro-opozitare, raporton se një bombë e cila mban gaz sarin u hodh nga një helikopter.