Site icon Telegrafi

Të paktën 68 të vdekur nga lufta që zgjati tetë orë ndërmjet bandave në një burg të Ekuadorit, u desh intervenimi i 900 policëve për të ndalë gjakderdhjen

Bandat në burgjet e Ekuadorit të lidhura me kartelet e drogës vranë të paktën 68 të burgosur dhe plagosën 25 të tjerë, në një gjakderdhje me armë zjarri që zgjati tetë orë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një betejë e zgjatur me armë shpërtheu brenda burgut Litoral Penitentiary, burgu më i madh i Ekuadorit.

Masakra në burgun e Guayaquil filloi pak para agimit si një betejë për kontrollin mbi një pjesë të burgut midis grupeve rivale pasi një drejtues bande u lirua herët.

“Meqenëse ky seksion i burgut ishte pa një drejtues, bandat e tjera u përpoqën të hynin për të kryer një masakër totale”, u tha gazetarëve të shtunën Pablo Arosemena, guvernator i provincës Guayas.

Sipas Arosemena, në zonën e objektit ku po zhvillohej trazirat vdekjeprurëse ndodheshin rreth 700 të burgosur dhe në luftimet fillestare, të burgosurit u përpoqën të shpërthenin me eksploziv një mur për të hyrë në Pavijonin 2 për të kryer një masakër.

Ata dogjën gjithashtu dyshekë në përpjekje për të mbytur (rivalët e tyre) me tym.

Dronët e policisë që fluturuan mbi burg zbuluan se të burgosurit në tre pavionet ishin të armatosur me armë dhe eksplozivë që autoritetet thonë se ishin kontrabanduar në burg përmes automjeteve që dërgonin furnizime dhe ndonjëherë me dron.

Ndërkohë disa pamje që po qarkullojnë në rrjetet sociale treguan trupa të vdekur të shtrirë rreth flakëve në tokë brenda burgut, duke u goditur me thikë nga rebelët.

Situata vazhdoi për orë të tëra deri pas natës, kur zëdhënësi presidencial Carlos Jijón më në fund njoftoi se ‘situata është nën kontroll në të gjithë burgun’ pasi ndërhynë rreth 900 oficerë policie.

Presidenti Guillermo Lasso ofroi ngushëllimet e tij “familjeve që kanë humbur të dashurit” dhe tha se nevojiteshin masa të reja për “të luftuar mafiozët që përfitojnë nga kaosi”. /Telegrafi/

Exit mobile version