Site icon Telegrafi

Të paktën 48 të vdekur nga shpërthimi i një cisterne karburanti në Nigeri

Një cisternë karburanti është përplasur me një tjetër kamion në Nigeri, duke shkaktuar një shpërthim që ka vrarë të paktën 48 persona, ka njoftuar agjencia e reagimit emergjent të vendit.

Bëhet e ditur se cisterna e karburantit po transportonte gjithashtu bagëti në zonën Agaie në shtetin veri-qendror të Nigerisë dhe të paktën 50 prej tyre u dogjën të gjalla në përplasje, ka deklaruar Abdullahi Baba-Arab, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Menaxhimit të Emergjencave.

Ndërkohë në vendin e aksidentit janë zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit.

Baba-Arab tha fillimisht se u gjetën 30 trupa, por më vonë deklaroi se u gjetën edhe 18 trupa të viktimave që u dogjën për vdekje në përplasje, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ai tha se të vdekurit ishin varrosur masivisht.

Mohammed Bago, guvernatori i shtetit tha se banorët e zonës së prekur duhet të qëndrojnë të qetë dhe u kërkoi atyre që “të jenë gjithmonë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregulloret e trafikut rrugor për të mbrojtur jetët dhe pronat”.

Ndryshe, me mungesën e një sistemi efikas hekurudhor për transportin e mallrave, aksidentet fatale me kamionë janë të zakonshme përgjatë shumicës së rrugëve kryesore në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës.

Vetëm në vitin 2020, sipas Korpusit Federal të Sigurisë Rrugore të Nigerisë, ka pasur 1,531 përplasje të cisternave me benzinë, duke rezultuar në 535 viktima dhe 1,142 lëndime. /Telegrafi/

Exit mobile version