Të paktën 40 persona kanë vdekur pasi anija me të cilën po udhëtonin u përfshi nga zjarri në brigjet e Haitit, ka njoftuar Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), duke cituar autoritetet lokale.
Bëhet e ditur se anija u largua nga Haiti të mërkurën me mbi 80 emigrantë dhe u nis për në ishujt Turks and Caicos.
Roja Bregdetare e Haitit njoftoi se kanë 41 emigrantë të tjerë kanë mbijetuar, shkruan CNN.
Në një deklaratë, Grégoire Goodstein, shefi i misionit të IOM-it në vend, për tragjedinë fajësoi krizën spirale të sigurisë në Haiti dhe mungesën e “rrugëve të sigurta dhe ligjore për migrimin”.
“Situata socio-ekonomike e Haitit është në agoni. Dhuna ekstreme gjatë muajve të fundit vetëm sa ka bërë që ata të përdorin masa të dëshpëruara edhe më shumë”, tha ai.
Siç raportohet, Haiti po përballet me dhunën e bandave, një sistem shëndetësor në kolaps dhe mungesën e qasjes në furnizimet thelbësore, duke bërë që shumë banorë të nisin udhëtime të rrezikshme jashtë vendit.
Kriza e kombit të Karaibeve u përshkallëzua në fillim të këtij viti kur shpërtheu lufta e bandave, duke detyruar dorëheqjen e qeverisë së atëhershme.
Sipas të dhënave të IOM-it, numri i përpjekjeve për migrim me anije nga Haiti është rritur që atëherë.
Por, kaosi në vend nuk i ka ndaluar qeveritë fqinje të riatdhesojnë emigrantët nga Haiti me dhjetëra mijëra.
Ndryshe, më shumë se 86,000 migrantë janë kthyer me forcë në Haiti nga vendet fqinje këtë vit. Në mars, pavarësisht rritjes së dhunës dhe mbylljes së aeroporteve në të gjithë vendin, kthimet e detyruara u rritën me 46 për qind, duke arritur në 13,000 kthime të detyruara vetëm në mars. /Telegrafi/