Site icon Telegrafi

Të paktën 20 të lënduar pas një përplasjeje mes tramvajave në Strasburg

Të paktën 20 persona janë lënduar në një përplasje tramvajesh pranë stacionit hekurudhor në Strasburg të Francës.

“Bilanci i parë tregon për 20 persona të lënduar lehtë”, tha zëdhënësi i policisë, duke shtuar se rrethanat e aksidentit ende nuk janë sqaruar.

Një reporter i AFP-së tregoi se rreth vendit të ngjarjes është vendosur një kordon sigurie dhe se përpara stacionit ndodhen shumë automjete të ndihmës së shpejtë.

Një video e një dëshmitari okular, e publikuar në rrjetet sociale, tregon një skenë kaotike dhe dy tramvaje të dëmtuar rëndë në një tunel, në nivelin e stacionit.

Njëri nga tramvajet duket se ka dalë nga shinat për shkak të përplasjes, shkruan metro.co.uk.

Strasburgu është qyteti i parë i madh francez që riktheu tramvajet në shërbim në vitin 1994 dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur aksidente të mëdha. /Telegrafi/

Exit mobile version