Telegrafi

Të paktën 12 të vrarë në sulmin ndaj Universitetit Amerikan në Kabul

Forcat e sigurisë afgane thonë se nga sulmi në Universitetin Amerikan në Kabul, janë vrarë të paktën 12 persona, dhe dy sulmues.

Sulmi, i cili filloi më 24 gusht me një shpërthim të madh, i cili sipas zyrtarëve u shkaktua nga një makinë bombë, e që u pasua nga të shtëna armësh, ka përfunduar pas dhjetë orësh.

Në mesin e të vrarëve janë shtatë studentë, tre policë dhe dy roje të sigurisë, ka njoftuar policia, raporton Evropa e Lirë. Ndërkaq, dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Policia afgane thotë se ka shpëtuar më shumë se 500 studentë.

Asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.