Telegrafi

Të paktën 10 të vdekur dhe më shumë se 20 të lënduar pasi një autobus me dasmorë u rrokullis në Australi

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe më shumë se 20 të tjerë janë në spital pasi një autobus u rrokullis në një rajon të verës në Australi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pasagjerët po ktheheshin nga një dasmë në një punishte vere të dielën mbrëma, kur autobusi i tyre u përmbys në Wine County Drive pranë Greta në Hunter Valley, New South Wales.

Policia thotë se po heton rrethanat e aksidentit ndërkohë bëhet e ditur se është arrestuar drejtuesi i autobusit, një 58-vjeçar.

Përplasja ndodhi rreth orës 23:30 me orën lokale – autobusi u rrokullis duke bërë kthesë në një rrethrrotullim jashtë autostradës.

Ndihmës-komisionerja në detyrë e Policisë NSW, Tracy Chapman, tha se të ftuarit po udhëtonin në Singleton “me sa duket për akomodimin e tyre”.

Numri i viktimave mund të rritet, me 25 pasagjerë të dërguar në spital – dy prej tyre u transportuan me aeroplan, ka bërë të ditur zonja Chapman.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se është “aq mizore, kaq e trishtuar dhe kaq e padrejtë” që një “ditë e gëzueshme në një vend të bukur si ai të përfundojë me humbje kaq të tmerrshme jete”. /Telegrafi/