Telegrafi

Të pagjeturit, Shala kërkon harmonizimin e tekstit për institucionet ndërkombëtare

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka kërkuar nga deputetët që të dakordohen për një tekst, i cili do të dërgohet institucioneve ndërkombëtare në lidhje me çështjen e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Shala, i cili së bashku me gjashtë deputetë mbështetës ka kërkuar debat parlamentar për të pagjeturit, kërkoi dakordimin nga të gjitha partitë parlamentare për një rezolutë, e më pastaj të punohet letra së bashku ku do të kërkohet zbardhja e fatit të të pagjeturve.

“Unë po propozoj që të dakordohemi të gjitha subjektet politike në nivel të shefeve të grupeve parlamentare apo përfaqësuesve të partive, që ta formojmë një komision siç e parashohin procedurat dhe të dakordohemi për një tekst, të cilin e kam përgatitur me propozuesit. Të njëjtin tekst do ta dorëzoj sonte te të gjithë shefat e grupeve parlamentare, dhe pastaj do të dakordohemi bashkërisht që si Kuvend t’i drejtohemi Parlamentit Evropian, Këshillit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Kongresit Amerikan, Senatit Amerikan, Departamentit të Shtetit Amerikan me një kërkesë nga ana Kuvendit të Kosovës”, tha Shala. /Telegrafi/