Site icon Telegrafi

Të pagjeturit, rinisin gërmimet në veri të Mitrovicës – ende pa rezultate

Gërmimet e ndërprera para dy vjetësh, e që kanë vazhduar sot në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës për trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk kanë zbardhur mbetjet mortore të viktimës që është kërkuar.

Kështu ka bërë të ditur Kushtrim Gara, shef i zyrës së komisionit për persona të pagjetur. Sipas tij, supozohet se në këtë lokacion gjenden një numër i viktimave të luftës, ndërsa sot është hasur në disa mbetje mortore që janë jashtë interesit të forenzikës.

Gara ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për një presion më të madh ndaj institucioneve të Serbisë, pasi siç u shpreh ai, Serbia duhet të jetë më bashkëpunuese në këtë drejtim.

“Gjatë gërmimeve që janë zhvilluar sot nuk është hasur në mbetje mortore të personit apo viktimës që është kërkuar, por është hasur në disa mbetje mortore që janë jashtë interesit të forenzikës. Supozohet se një numër i viktimave të luftës vazhdojnë të jenë në këtë lokacion. Gjithsesi duhet një presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj institucioneve të Serbisë, pasi ajo duhet të jetë më bashkëpunuese, meqë në këto lokacione po nuk patëm informata të sakta, skicat dhe detajet e nevojshme, mundësia për të gabuar është më e madhe, për shkak se bëhet fjalë për hapësirë të varrezave, që nënkupton se kudo të gërmosh, ke për të hasur në eshtra”, ka thënë Gara.

Ai shtoi se punimet janë ndërprerë për sot, ndërsa do të vazhdojnë pas disa konsultave të nevojshme dhe pasi të ndiqen disa procedura të prokurorisë.

Kryetari i Shoqatës “Zëri i prindërve”, njëherësh udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, ka hedhur akuza për dinamikën e gërmimeve, duke thënë se nëse vazhdohet kështu me këtë dinamikë, gërmimet do të zgjasin edhe 20 vjet.

Sipas tij, sot është kërkuar vetëm një person, ndërsa dyshohet se në këtë lokacion ndodhen së paku 12 persona.

“Në këtë varrezë sot është kërkuar vetëm një person, ndërsa në bazë të dokumentacionit që kemi, këtu duhet të jenë së paku 12 persona, dhe nëse puna vazhdon me këtë dinamikë gërmimet do të zgjasin 20 vjet”, theksoi Çerkini.

Ndryshe, gërmimet e sotme në këtë lokacion janë bërë nga delegacioni qeveritar i Republikës së Kosovës së bashku me delegacionin e Serbisë. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version