Treshja që udhëhoqi ekipin e filmit që shënoi kthesën historike për kinematografinë kosovare, nuk e ka përfunduar misionin.
Regjisori britanik Jamie Donoughue, producenti Harvey Ascott dhe producenti kosovar Eshref Durmishi, do të bashkëpunojnë edhe në një tjetër projekt filmik pas suksesit me filmin “Shok”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një film i metrazhit të gjatë në Kosovë është sfida e radhës për filmbërësit që morën vëmendje botërore me filmin 21-minutash që u bë nominimi historik i Kosovës për “Oscar”.
Donoughue, Ascott dhe Durmishi do të qëndrojnë në Los Angeles deri në ditën e tetë të këtij muaji për t’u takuar me producentë amerikanë.
Pjesa tjetër e ekipit, përfshirë edhe protagonistët e filmit “Shok”, Andi Bajgora e Lum Veseli sot (e mërkurë) do të aterrojnë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” në orën 17:50. Durmishi nuk ka dhënë shumë detaje për projektin e ri, por ka konfirmuar se asgjë s’ka përfunduar me filmin “Shok”.