Site icon Telegrafi

A do të nisë ndonjë luftë mes Turqisë dhe Greqisë?

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dëshiron të kërkojë në Egje gaz natyror duke përdorur madje dhe armët. Një konflikt i armatosur midis Turqisë dhe Greqisë arriti të shmangej vetëm përmes ndërmjetësimit të kancelares Angela Merkel.

Ditët e kaluara situata në Mesdheun Lindor është përkeqësuar në mënyrë të rrezikshme. Turqia ka njoftuar se anija “Oruc Reis” do të nisë së shpejti shpimet në kërkimit të gazit natyror pranë ishullit grek të Kastelorizo.

Qeveria greke ka bërë të qartë se shpime të tilla nuk do të tolerohen, sepse ato do të zhvillohen në territorin grek. Sipas një raporti një konflikt i armatosur midis Turqisë dhe Greqisë arriti të shmangej vetëm të martën në mbrëmje përmes ndërmjetësimit të kancelares Angela Merkel, ndërkohë që forcat e armatosura të të dy vendeve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie. A do të nisë Erdogani një luftë me Greqinë?

Politikë pickimesh ushtarake
Lidhur me këtë pyetje, Günter Seufert, drejtues i Qendrës për Studime të Aplikuara për Turqinë (CATS) pranë Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Berlin, tha në një intervistë për “Deutsche Welle” se “Erdogani do të vazhdojë politikën e tij të “pickimeve ushtarake”, sepse sikurse nuk e njeh Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros dhe ndërmerr shpime për gaz atje, ai ka gjasa të urdhërojë në një të ardhme të afërt shpime për kërkim gazi në
Zonën Ekskluzive Ekonomike të Greqisë.”

Lexo po ashtu Mediat greke: Pse Erdogani vendosi sot të hap Aja Sofian?

Sipas Seufert çështja nëse do të ketë luftë varet nga mënyra sesi do të sillet Greqia, pra a do t’i ofrojë ajo negociata Turqisë apo jo. Gjithashtu kjo varet edhe nga mënyra sesi do të pozicionohen BE dhe sidomos SHBA. Në fund të fundit, Greqia dhe Turqia janë anëtare të NATO-s dhe vendet e mëdha të NATO-s duhet të ndërhyjnë si ndërmjetës.

Për momentin si Turqia dhe Greqia ngulin këmbë në pozicione maksimaliste. Në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtën Detare Athina pretendon që zona prej 200 miljesh detare si pjesë e Zonës Ekskluzive Ekonomike vlen edhe për ishujt e vegjël që i takojnë Greqisë, si p.sh. ishulli Kastelorizo, që gjendet më shumë se 500 kilometra larg Athinës por afër bregdetit të Turqisë. Kurse Turqia nuk e pranon këtë pretendim. Sipas ekspertit Günter Seufert e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo udhë pa krye janë bisedimet, shkruan DW.

BE-ja e paaftë për pozicione të përbashkëta në politikën e jashtme
BE-ja ka kërcënuar me sanksione por deri tani nuk ka ndodhur asgjë. Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell po i nxit të dy palët të negociojnë. Por për shkak të shumë çështjesh që kanë dalë në pah vitet e fundit si – çështja e refugjatëve, politika e energjisë, roli i Turqisë në Siri dhe Libi, BE-ja nuk është e bashkuar në qëndrimin ndaj Turqisë dhe secili vend mban qëndrime të ndryshme për të gjitha këto çështje në kuadër të interesave të veta kombëtare.

Lexo po ashtu Me rastin e mbajtjes së lutjes në Aja Sofia: Kaos para xhamisë në Stamboll, kambanat kumbojnë në Greqi

Kjo e bën edhe më të vështirë një politikë të përbashkët të Turqisë. Sidoqoftë eksperti mendon se “një strategji e përbashkët është më e rëndësishme se kurrë, sepse Turqia po bëhet gjithnjë e më agresive, për shembull duke përdorur refugjatët si armë për të bërë presion apo duke shkelur Zonat Ekskluzive Ekonomike të disa anëtarëve të BE-së.

SHBA ende e pavendosur për prioritetet
Lidhur me Shtetet e Bashkuara Günter Seufert mendon se ato janë në një pozitë të vështirë. Nga njëra anë, ato kanë shumë konflikte me Turqinë – si ai për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400. Nga ana tjetër, SHBA po përpiqen ta përdorin Turqinë për të minimizuar ndikimin e Rusisë në Mesdheun Lindor dhe në Libi. Sipas Günter Seufert “Uashingtoni nuk ka vendosur ende nëse do të pozicionohet kryesisht kundër Rusisë apo për të disiplinuar Turqinë. Erdogani përfiton nga kjo politikë e lëkundur e SHBA-së – si dhe pavendosmëria e BE-së.
Jo rastësi, por veprime me dimensione simbolike

Sipas ekspertit për Turqinë Seufert përzgjedhja e datës për nisjen e anijes kërkimore turke “Oruc Reis” nga porti i Antalias për në ujërat greke pranë ishullit Kastelorizo dhe për mbajtjen e faljes së parë në Hagia Sofian e rishndërruar së fundi në xhami, nuk janë rastësi, sepse përkojnë me ditën e nënshkrimit të Traktatit të Lozanës më 24 korrik 1923, kur u përcaktua kufiri midis Greqisë dhe Turqisë.

Lexo po ashtu Bild: Merkel parandaloi në minutën e fundit luftën në Mesdhe

Sipas tij “politika e Recep Tayyip Erdogan ka për qëllim krijimin e një Turqie të madhe. Fjala është për një Turqi, që ndryshe nga Turqia e Kemal Ataturkut, nuk është e orientuar nga Perëndimi, por nga historia dhe shtrirja territoriale e Perandorisë Osmane: ne jemi fuqia e re në rajon, ne po mbushim vakumin e pushtetit që u krijua nga tërheqja e SHBA-së dhe nga dobësia e BE-së, dhe ne përfaqësojmë interesat e muslimanëve sunitë në Lindjen e Mesme. Pasojat praktike të kësaj politike janë armatimi i ushtrisë turke dhe militarizimi i politikës së jashtme në Mesdheun Lindor. Kjo politikë gjithashtu ka dimensione të mëdha simbolike, siç është shndërrimi i Hagia Sofisë në xhami.” /deutchewelle/

Exit mobile version