Nuk bëjmë pjesë as në grupin e popujve sllavë, as latinë e as gjermanikë, pra nuk kemi "kushërinj" të parë, të dytë apo të tretë (“Vëllezërit tanë latinë, u kthyen në gjirin tonë”, deklaroi presidenti francez Miteran, në Bukuresht, disa ditë pasi ishte rrëzuar Çaushesku). Jemi unikë si komb. Jemi si puna e djalit apo vajzës së vetme. Prandaj, edhe kujdesin duhet ta kemi me të madh. Sepse edhe xhelozia ndaj racës shqiptare ka qenë shumë e madhe, është më e madhe. Është më e madhe edhe tek fqinjët, por edhe më tej, në mbarë Evropën.
Ç’është ky komb, që nuk ngjan me askënd; ç’është kjo racë kaq e pastër, që edhe gjuhën e ka të veçantë, origjinale, që nuk ngjan me gjuhët tona; ç’janë këta shqiptarë, që nuk kanë pranuar të asimilojnë kurrkënd, por gjatë mijëravjeçarëve as nuk u romanizuan, as nuk u sllavizuan, as nuk u gjermanizuan, as nuk u turqizuan. Ne të tjerët, serbë, kroatë, sllovenë, çekë, sllovakë, rusë etj. jemi “kushërinj” me njeri-tjetrin, sepse në rrënjë jemi sllavë.
Rumunët, francezët, italianët, portugezët etj. janë “kushërinj” me njeri tjetrin, sepse janë latinë. Austriakët, gjermanët, danezët, suedezët etj. janë “kushërinj” me njeri-tjetrin sepse janë gjermanikë. Ndërsa, këta shqiptarët, nuk ngjajnë me asnjë prej nesh, këta nuk kanë kushërinj. Këta janë “djali apo vajza e vetme”. Do ta pranojmë këtë si vlerë të rrallë evropiane, apo do t’i satanizojmë? Do ta pranojmë këtë si shëmbëlltyrë të civilizimit, apo do t’i konsiderojmë heretikë, duke vazhduar përpjekjet për t’i shpërbërë?
Këto pyetje e kanë shoqëruar mendimin politik evropian përgjatë shekujve. Me përjashtime të rralla, ky mendim politik ka synuar ta shpërbëjë këtë racë që sot quhen shqiptarë. Diku me shpatë dhe zjarr, diku me errësirë, diku me dinakëri, diku me eliminime fizike (“Merreni gjakun tim dhe jepuani shqiptarëve, që me atë të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe”, do shprehej Petro Nini Luarasi).
Dhe në këtë luftë shumëshekullore, raca shqiptare u rrudhos, miliona pjesëtarë të saj u greqizuan pasi e bënë shtet Greqinë; u turqizuan pasi për 25 vjet e përballuan Turqinë dhe për 500 vjet e mbajtën në këmbë si Perandori. Por, përsëri në agimin e shekullit të 19 dhe 20, gjermanikët , latinët dhe sllavët panë se kjo racë kishte mbetur, ishte rrudhosur, por jetonte e pangjarë me asnjë prej tyre. Doli edhe si shtet më vete. Atëherë kryen aktin tjetër: e copëtuan sërish në Londër me të vetmin synim – ta shpërbënin.
Prapë dështuan. E prapë provuan përgjatë viteve, e copëtuan në Jaltë për ta shpërbërë. E prapë dështuan. Dhe në agimin e shekullit të 21 kjo racë ndodhet e pastër, në dy shtete e gjysmë. Është dështimi më i madh që ka provuar doktrina gjermanike, sllave, latine ndaj kombit shqiptar, ndaj racës shqiptare. Por, është edhe fitorja më e madhe e racës shqiptare ndaj inkuizicionit evropian.
Tani është përpjekja e fundit. Ata nuk ndalen, por edhe raca shqiptare nuk fle gjumë. Cila është kjo përpjekje? Të kosovarizojmë racën shqiptare në verilindje të trojeve të tyre; të mbështesim tezën e kombit kosovar. Kështu do t’i rrudhosim më shumë deri sa t’i shuajmë krejt.
Por, edhe kjo përpjekje dështoi, pa nisur akoma. Me përjashtim të pak, shumë pak shqiptarëve, shumica dërrmuese e përbuzi këtë doktrinë. Bënë edhe një përpjekje të fundit diabolike në Tiranë. Regjistrimin thanë etnik dhe fetar, me shpresë se do ta rrudhosnin këtë herë nga jugu. Me shpresë se do të arrinin t’i greqizonin siç kishin bërë me arvanitasit. Por, prapë dështuan, e këtë herë me shumë turp. Vetëm 36 mijë u regjistruan grekë. E tani i luten politikanëve shqiptarë të mos e shpallin turpin që e provokuan vetë.
Tani është radha e racës shqiptare, e cila përkundër këtij gjenocidi shumë shekullor, doli e lodhur nga kjo luftë e egër, doli e rrudhosur, por ruajti palcën e saj, mbeti shqiptare. Tani shqiptarët kanë të drejtë dhe do ta bëjnë që të marrin vendin e merituar në këtë bashkësi që quhet Bashkim Evropian, por që në thelb është grumbullim “fisesh sllave, gjermanike e latine”. Sepse raca shqiptare dhe politikanët e saj atë që bënë gjermanët dhe francezët në fillim të viteve ‘50 e që më vonë u quajt BE, atë që bënë në vitin ‘49 e që më vonë u quajt NATO – shqiptarët e kishin bërë para 550 vjetëve.
Mëndja e ndritur e Gjergj Kastriotit dhe Pal Engjëllit, me aleancën ushtarake me Mbretërinë e Napolit dhe me marrëdhëniet tregtare me Venedikun, hodhi themelet e atyre që sot quhen NATO dhe BE. Prandaj, racës shqiptare i takon jo thjesht të jetë anëtare, por të jetë në ballë të vendit, si themeluese, kur të tjerët ishin akoma fise, principata, por assesi shtete që të kishin mendimin politik të racës shqiptare.
Historia do rishkruhet, por këtë herë ashtu siç ka ndodhur, jo ashtu siç ju ka interesuar “kushërinjve” sllavë, latinë, gjermanikë. Prandaj të ndjehesh sot shqiptar nuk është thjesht krenari, është më shumë se kaq: është civilizim, progres, paqe, është e ardhme e sigurt për ata që do të vijnë pas nesh.
“Djali apo vajza” e vetme e Evropës nesër do të pranohet nga vetë Evropa si Kryevlera e saj.